Kolumbiani i Barcelonës flet hapur: Bastet me Mesin dhe Suarezin më kanë kushtuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2018 | 22:39

Kolumbiani i Barcelonës flet hapur: Bastet me Mesin dhe Suarezin më kanë kushtuar…

Jerri Mina ndodhet në “Camp Nou” që prej muajit janar, por ai ka humbur që tani qindra euro për shkak të basteve që ka vendosur me shokët e skuadrës, Lionel Mesi dhe Luis Suarez. Mbrojtësi kolumbian zbuloi se ka sfiduar shokët e tij amerikanojugorë me disa goditje dënimi në stërvitje dhe e ka humbur gjithnjë garën. Por, këto baste nuk ishin të pasuksesshme për mbrojtësin që kërkohet nga Mançester Junajtid, por ishin një mënyrë që do ta ndihmonte atë të ambientohej sa më shpejt pas transferimit nga Palmeirasi.

mina mesi

Ato funksionuan dhe sot 23-vjeçari është një shok shumë i mirë me Mesin dhe Suarezin. Gjatë një interviste për revistën “Bocas”, ai i quan ata njerëz të shkëlqyer: “Kur iu bashkova për herë të parë klubit, nisa të vendos baste me Mesin dhe Suarezin për të krijuar një atmosferë më të mirë. Sfida ishte se cili do të bënte ekzekutimet më të mira të goditjeve të dënimit në stërvitje, por rezultoi se çdo ditë unë humbisja 50 euro.

Erdhi një moment që po mendoja: ‘Çfarë, unë po paguaj këta djem për të bërë pazar’! M’u desh të qeshja, por e vërteta është se ata përbindësha e vendosnin topin ku të donin. Ata janë njerëz të shkëlqyer, por edhe magjistarë”. Pavarësisht se ai ndihet si në shtëpi në Barcelonë, e ardhmja e mbrojtësit përflitet se do të jetë larg “Camp Nou”-t dhe ai i pranon pasiguritë e këtyre ditëve të merkatos.

“Sa i përket së ardhmes time nuk ia kam idenë, por jam i qetë. Jam 23 vjeç dhe kam edhe shumë vite për të luajtur futboll. Sezonin e fundit mendova shumë gjëra të këqija. Mendova se kisha mbaruar. Ndihesha shumë keq dhe Kutinjo dhe Paulinjo përpiqeshin që të më inkurajonin gjatë gjithë kohës. Unë e di që në këtë klub ka lojtarë spektakolarë në pozicionin tim, por unë doja të luaja disa minuta dhe të tregoja vlerat e mia dhe kjo nuk ndodhi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"