Kolumbia ‘kafshon’ Uruguain dhe siguron çerekfinalet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2014 | 10:19

Kolumbia ‘kafshon’ Uruguain dhe siguron çerekfinalet

James RodriguesKOLUMBI-URUGUAI  2-0
GOLAT: Rodriguez 28′, 50′
KOLUMBIA (4-4-2) Ospina; Armero, Jepes, Zapata, Zuniga, Kuadrado (80′ Guarin), Sançez, Aguilar, Rodriguez (86′ Ramos), Gutierrez (68′ Mehia), Martinez. Trajner: Hoze Pekerman
URUGUAI (4-4-2) Muslera; Kaseres, Gimenez, Godin, Pereira, Gonzalez (67′ Hernandez), Pereira (54′ Ramirez), Rios, Rodriguez, Kavani, Forlan (53′ Stuani). Trajner: Oskar Tabarez
KARTONË TË VERDHË: Armero 78′ / Gimenez 55′, Lugano 77′ (nga stoli)
ARBITËR: Bjorn Kuipers (Holandë)

Kolumbia nuk kishte mbushur vetëm “Maracana”-n me tifozët e saj, por edhe e gjithë Italia i kërkonte një nder djemve të Hoze Pekermanit, pas eliminimit të “axurrëve”. Por mbase italianët nuk kishin pse të kërkonin, sepse Rodriguez me shokë kishin një mision për të përmbushur dhe nuk zhgënjyen. Përkundrazi, Kolumbia thyen pa shumë vështirësi Uruguain e mbetur “jetim” nga skualifikimi i Luis Suarezit dhe arrijnë të kualifikohen për në çerekfinalet e Kupës së Botës, falë rezultatit 2-0. Pasi kanë çmontuar edhe “bandën” e Tabarezit, rivali i radhës do të jenë vendësit brazilianë, ku ylli i ri që po mahnit botën, Xhejms Rodriguez, jo vetëm që është shndërruar në liderin e ri të renditjes së golashënuesve të këtij edicioni (5 gola) pas dopietës së djeshme, por është gjithashtu talenti që mund t’i fusë drithërimat “seleçaos” së Nejmarit.
Shkëlqen Rodriguez – Sfida mes Kolumbisë dhe Uruguait nuk është se tërheq shumë vëmendje fillimisht, pasi në 25 minutat e para edhe kamerat e stadiumit fokusojnë më shumë tifozet bukuroshe nëpër tribuna, sesa çaste të lojës. Por gjithçka do të ndryshojë në minutën e 28-të, kur një veprim fantastik i Xhejms Rodrigezit do të mahnisë edhe më shumë sesa tifozet e pranishme. Edhe pse shumëkush nuk e kishte llogaritur, mesfushori i Monakosë nga dita e djeshme ka hedhur kandidaturën për “Këpucën e Artë”. Goli i partë ndaj Uruguait është një “perlë”; stopim me trup dhe goditje fluturimthi nga 20 metra me të majtën, që përfundon në rrjetë, pasi preku edhe traversën. Një gol magjik për kolumbianët, një gol spektakolar për Xhejms Rodrigezin që feston të katërtin në këtë Botëror. Uruguai, që deri në këtë moment ishte mbrojtur me 5 lojtarë, tenton të reagojë, por ndërsa Kavani nuk di të shfrytëzojë një krosim në zonë, një goditje dënimi dhe një pasim të pisët në zonë, nervozohet, duke hapur në distancë një sherr me Jepesin, ndonëse zbritja në dhomat e zhveshjes do i qetësojë. Kolumbia, më e qetë edhe si rrjedhojë e avantazhit, nuk e lë në tunel dëshirën për të shtyrë përpara dhe për të shënuar, por kërkon menjëherë të blindojë fitoren dhe kualifikimin, e cila do të vijë pas vetëm 5 minutash. Martinez, Armero e Kuadrado hutojnë me një seri pasimesh të sakta dhe të shpejta uruguaianët, derisa topi të mbërrijë në zonën e vogël dhe Rodriguez të shënojë. Një skemë që ia vlen për t’u studiuar, një skemë e argjentinasit Pekerman që feston më shumë sesa Rodriguez që ngjitet në kuotën e 5 golave, një skemë mbi të cilin Brazili duhet të nisë të mbajë shënime. Uruguai dorëzohet, nis të shfryjë me shqelma, me protesta dhe me ofendime ndaj kundërshtarëve, sepse as zbritjet në fushë të Stuanit, Ramirezit dhe Hernandezit nuk ndryshojnë rrjedhën e takimit. Me pak fjalë, Uruguai nuk di të “kafshojë” pa specialistin e fushës, Luis Suarezin…

“Kjo Kolumbi i shkatërron të gjithë”
Trajneri i “Cafetero”-s, Hoze Pekerman, është i bindur se ekipi i tij tregoi një tjetër shenjë force kundër Uruguait: “Kush mendon se jemi të kënaqur që kemi arritur deri në këtë fazë të turneut, atëherë e mendon shumë gabim. Rivalët tanë nuk ishin ata në grup, por as Uruguai me sa pamë. Ne kemi ardhur në këtë Botëror për të lënë gjurmë në histori, sepse jam i bindur që ky grup mund të shkatërrojë këdo që i del përpara, edhe Brazilin madje”.

“Kundër Brazilit, ndeshje normale”
Huan Kuadrado është i bindur se kombëtarja e tij nuk i trembet askujt. Për mesfushorin ofensiv të Kolumbisë, ndeshja me Brazilin do jetë si gjithë të tjerat: “Ne nuk kemi ardhur për të parë në sy askënd, duam thjesht të bëjmë lojën tonë, ndaj fakti që Brazili luan në shtëpi nuk na vë në presion, nuk na tremb aspak. Ne nuk kemi çfarë të humbim, ata po, ndaj unë e ndiej si çdo sfidë tjetër”.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"