“Koloni” peqinasish në Kavajë, Lila: I japim grintë Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 13:55

“Koloni” peqinasish në Kavajë, Lila: I japim grintë Besës

Në merkaton e jan arit te Besa janë afruar edhe 3 futbollistë nga Peqini, pas dënimit të Shkumbinit me përjashtim nga aktiviteti dhe zbritje një kategori më poshtë. Konkretisht, me kavajasit janë bashkuar ditët e fundit portieri Ajazi dhe mesfushorët Isaji dhe Lila.

besa

Po të shtojmë edhe dy trajnerët Gugash Magani dhe Klodjan Dervishi, i bie që te kavajasit është bërë një “koloni” peqinase. Kështu, krahas futbollit së saj teknik, Besa do të ketë tashmë edhe grintën peqinase në fushë, luftën e fortë për çdo top.

 LILA – Në këtë linjë shprehet edhe mesfushori Bledar Lila, 19-vjeçari që ka spikatur me Shkumbinin në gjysmën e parë të këtij kampionati. Ai beson se me teknikën e saj dhe grintën peqinase, Besa do të jetë skuadra që duhet në gjysmën e dytë të kampionatit. “Te Besa kanë luajtur emra të shquar nga Peqini, si trajneri Magani, Pashja, Artur Magani e të tjerë, kurse në Peqin  kanë bërë emër kavajasit Bubeqi, Kaja e Ypi.

bledar lila

Peqini dhe Kavaja kanë dhënë e marrë te njëritjetri, kemi raporte shumë të mira. Pra, Kavaja është një shtëpi e dytë për peqinasit. Për mua, si një lojtar 19-vjeçar, ky është hapi që prisja në karrierë. Besa u jep mundësi talenteve dhe do të mundohem me të gjitha forcat të rris nivelin tim profesional dhe të ndihmoj skuadrën që nesër të jemi në Superiore. Temperamenti peqinas? Futbolli është lojë burrash, nuk është balet.

Është e vërtetë që në Peqin nuk duan ta pranojnë kurrë humbjen dhe shpesh na kanë akuzuar për lojë të fortë dhe me grintë më shumë se sa duhet. Ne luajmë me dëshirë dhe shpirt për të fituar, ndaj kemi këtë karakter burrëror, kështu jemi rritur. Futbolli ka nevojë për grintë, kuptohet brenda normave sportive. Besa dihet që bazohet më shumë te loja teknike, por ne do t’i sjellim edhe pak grintë nga Peqini.

Kështu mund të shkojmë te suksesi. Pastaj, kur shohim në stol Maganin dhe Dervishin, “harrojmë” që jemi Besa, na duket vërtet sikur jemi Shkumbini. Modeli ynë më i mirë janë pikërisht Magani dhe Dervishi, të cilët dinë të na injektojnë grintën dhe ambiciet për të ecur përpara. Shpresoj se do të kemi një ecuri të mirë”, ka thënë mesfushori Lila për “Panorama Sport”. Kavajasit presin edhe lojtarë të tjerë në merkaton e dimrit, veçanërisht një sulmues me përvojë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"