Kolela rrëfehet për mediat italiane: Partizani si Juventusi, Milani dhe Interi! “Demat” më kanë telefonuar në… mesnatë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2022 | 19:18

Kolela rrëfehet për mediat italiane: Partizani si Juventusi, Milani dhe Interi! “Demat” më kanë telefonuar në… mesnatë (E PLOTË)

Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, ka dhënë së fundmi një intervistë për mediat italiane, ku ka zbërthyer me detaje ardhjen te “demat” dhe eksperiencën në kryeqytet. Në prononcimin për “CalcioMercato”, 56-vjeçari shprehet hapur se objektivi i Partizanit është titulli dhe e krahason skuadrën e tij me ekipet e Juves, Milanit apo Interit. Ai zbulon njohjet e vjetra me drejtorin Elton Marini dhe telefonatën e tij në mesnatë, direkt pas eliminimit nga Saburtalo, çka tregon se vendimi për të larguar Mehmetin është marrë atë natë.

KOLELA 1

Çfarë mund të thoni për eksperiencën tek Apolonia?

Realiteti është se kam mësuar shumë nga ajo përvojë. Disa gabime nuk i kam përsëritur dhe nuk do t’i përsëris.

Për shembull?

Kur shkon në një ambient të ri apo të ndryshëm, duhet të respektosh gjërat që janë aty. Përdorimi i “kazmës” nuk është i frytshëm

A ju kanë kërkuar drejtuesit titullin kampion?

Partizani është si Juvja, Milani apo Interi. Nëse pranon ta stërvitësh këtë skuadër, duhet ta dish që titulli është qëllimi.

Po, por nuk është se suksesi i fundit është edhe aq i hershëm…

Hera e fundit që janë shpallur kampionë ka qenë sezoni 2018-2019. Megjithatë, ne besojmë. Edhe nëse festa e titullit ka ndodhur disa vite më parë. Tirana është kundërshtari ynë historik dhe pas nesh ka skuadra të qyteteve të tjera, që janë shumë të forta. Flas për Erzenin, Vllazninë dhe Egnatian.

Si është strukturuar liga e parë shqiptare?

Seria A atje quhet Kategoria Superiore dhe marrin pjesë 10 skuadra. Është e organizuar me sistemin italian me katër faza, luajmë dy herë në shtëpi me të njëjtën skuadër. Ai që fiton titullin kualifikohet në raundin e parë të Champions League. I dyti luan në Europa League dhe i treti të Ligën e Konferencës (në fakt vendi i dytë, i tretë dhe fituesi i Kupës kualifikohen të gjithë në Ligën e Konferencës).

 

U katapultuat papritur në stolin e Partizanit…

Po, sepse pas eksperiencës së parë në Shqipëri e kisha qetësuar shpirtin. Ishim në mes të verës dhe po mendoja të kaloja gjashtë apo shtatë muaj i papunë, ndoshta do të shihja disa ndeshje në Itali. Në vend të kësaj, pa asnjë paralajmërim erdhi ajo telefonatë.

Dhe kush ishte?

Elton Marini, drejtori sportiv i Partizanit, një person me shumë kulturë dhe kompetencë. Ka qenë futbollisti im (te Beluno) dhe njiheshim prej kohësh. E kisha parë së fundmi në Beluno, por nuk kishim biseduar diçka të veçantë.

Çfarë kishte ndodhur te Partizani për të marrë një vendim kaq të papritur?

Atë mbrëmje Partizani ishte eliminuar nga Liga e Konferencës. Në fund të ndeshjes kishin vendosur të shkarkonin trajnerin.

Çfarë ekipi ju ka besuar Marini?

Është një ekip i mirë, sidomos nga pikëpamja teknike. Kam shumë lojtarë të rinj. Kapiteni, për shembull, është i vitit 1996. Është një grup që duhet të rafinohet, por mund të bëjmë mirë.

Duke ritheksuar se jeni në krye me pikë të barabarta me Tiranën, si është trendi i rezultateve?

Ose fitojmë, ose humbasim. Kemi barazuar vetëm një herë. Kjo ndodh për faktin se në shtëpi apo në transfertë, synimi ynë primar është të marrim tri pikë.

Me çfarë lige e krahasoni Kategorinë Superiore?

Do të thosha që është një Seria C e nivelit të lartë dhe në disa raste një Seria B e nivelit mesatar. Baza teknike është e lartë, por ka punë për të bërë nga pikëpamja taktike dhe mentale.

A vlen kjo edhe për infrastrukturën?

Jo, në këtë aspekt Shqipëria është përpara. Shumica dërrmuese e skuadrave në Kategorinë Superiore janë shumë më mirë të organizuara sesa Seria C italiane.

Për shembull?

Partizani ka ndërtuar një stadium të ri dhe kemi një qendër sportive moderne. Nuk e di sa skuadra në Itali mund t’u afrohen këtyre kushteve, përfshirë edhe Serinë B.

E dini që Partizanin e kanë stërvitur edhe italianë të tjerë si Agostineli, Sormani apo Lerda. Dëshironi të jeni i pari që do të fitojë titullin? Unë shpesh them me vete: pse jo?

Ne e dimë se duhet të përpiqemi.

Pavarësisht përfundimit, do të qëndroni në Tiranë sezonin tjetër?

Këtu ndihem shumë rehat, kam një klub që më mundëson gjithçka që kërkoj. Profesionalizmi është i lartë dhe marrëdhëniet me presidentin janë shumë të përzemërta. Të shohim si do të shkojë, nuk përjashtoj asgjë.

Pra, nuk e përjashtoni që kjo të jetë një pikë kthese në karrierë?

Unë e jetoj si të tillë. Ka disa pika kthesash në jetë. Shpresoj që kjo të jetë e duhura.

Përgatiti: DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"