Kolela flet pas humbjes me Partizanin: Çaluam disi, na mungon një penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 17:11

Kolela flet pas humbjes me Partizanin: Çaluam disi, na mungon një penallti

Apolonia ka humbur minimalisht në turin e dytë të Kupës dhe është eliminuar nga Partizani. Gjithsesi, fierakët kanë pasur mundësitë e tyre për të barazuar dhe për ta balancuar lojën. Të kuqtë nuk është se kanë ushtruar presion të madh, por edhe fierakët janë dukur disi të trembur dhe të tërhequr në lojën e tyre. Duke parë edhe nivelin që ka paraqitur kundërshtari në këtë takim, trajneri i Apolonisë,Xhovani Kolela, ka pritur më shumë nga skuadra e tij.

Kolela Apolonia

“Ka qenë një humbje me 1 gol, të cilin, me pak kujdes, mund ta kishim evituar. Nuk është se kundërshtari zhvilloi ndonjë lojë më të mirë se ne, por ishte skuadra jonë që çaloi në momente të caktuara dhe nuk u ngjit në nivelin e duhur. Patëm edhe ne rastet tona, është një moment i dyshimtë për një penallti të padhënë për ne, megjithatë ky është futbolli dhe fati i ndeshjes shpesh vendoset nga episode të veçanta.

Tani Kupa ka mbetur për ne dhe duhet të përqendrohemi maksimalisht për ndeshjet e kampionatit, ku, për shkak të ndërprerjes, kemi kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur siç duhet. Na pret një ndeshje e vështirë në transfertë, me një kundërshtar që ka bërë mirë javët e para në kampionat”, u shpreh trajneri i Apolonisë, Xhovani Kolela, pas ndeshjes për “Panorama Sport”. Italiani i pankinës fierake e ka drejtuar skuadrën në 4 ndeshje zyrtare këtë sezon, 2 në kampionat dhe 2 në Kupë, me një bilanc: 1 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"