“Kolegu im i Tomorit nga Kavaja, vazhdon të na quajë fshatarë…”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2016 | 19:54

“Kolegu im i Tomorit nga Kavaja, vazhdon të na quajë fshatarë…”

Gazeta ‘Panorama Sport’ ka publikuar në rubrikën ‘Blobi i Javës’ batutat më pikante dhe deklaratat e forta të bëra nga një pjesë e protagonistëve të futbollit shqiptar, por edhe të atyre shqiptarëve që luajnë jashtë vendit.

Thëniet e tyre janë përzgjedhur duke u publikuar bashkë me rolin që ata kanë në ekipet që bëjnë pjesë.

Untitled-19Andrea Agostineli, trajner i Partizanit: “Jam i fundit që kam ardhur në Shqipëri, por më duket një kampionat jo korrekt. Laçi në ndeshjet e fundit luajti me lojtarët rezervë, ndërsa ndaj nesh me titullarët”.

Saimir Shehri, drejtor i Tiranës: “Rikthimi i yllit me pesë cepa në fanellën e Partizanit nuk më lë aspak shije të mirë. Pas 25 vitesh demokraci t’u rikthehemi simboleve të komunizmit, kjo tregon shenja nostalgjie”.

Mikel Janku, ish-portier i Partizanit: “Ylli në fanellë është diçka krejt normale. Të njëjtën gjë bëjnë edhe skuadra deri në Amerikë. Nuk duhet paragjykuar, sepse është Partizani i sportit dhe jo i malit. Ne në Shqipëri edhe yllin në qiell e shikojmë si i cilit partie është…”.

Agim Fagu, ish-basketbollist: “Ylli i Partizanit po u verbon sytë disave, por kujdes mos u verbon mendjen, se do të mbeten përjetësisht qesharakë”.

Safet Gjici, president i Kukësit: “Skënderbeu do të hajë dru në Kukës, sepse zgjodhi vetë të rrijë me Laçin”.

Mirel Josa, trajner i Skënderbeut: “Laçi luan për vete, aludimet i bën kush ka eksperienca personale”.

Pashk Laska, president i Laçit: “Largimi i Xhejmsit na ka lënë deficite të mëdha. Detyrimisht do ta kalojmë me këta sulmues që kemi, laj-thaj. Do t’i nxjerrim në diell tani, meqë është ngrohur koha dhe ishalla thahen më shpejt…”.

Vasil Ruci, ish-trajner i Flamurtarit: “Më në fund gjendet një arbitër shqiptar që gjykon mirë, por sërish nuk jep një penallti neto. Ai është Enea Jorgji”.

Gjok Noka, president i Besëlidhjes: “Pjesa e dytë në Fushë-Krujë nuk është luajtur as 20 minuta, pasi shumica e gjuajtjeve përfundonin nëpër bahçet afër stadiumit. Millan ‘qoftja’ kur vjen në Lezhë nuk e nis lojën pa pasur të paktën katër apo pesë fëmijë rreth fushës që të kapin topat”.

Jahmir Hyka, mesfushor shqiptar i Luzernës: “Nëse nuk do të isha bërë futbollist, do të isha arkeolog. Kam talent për të kënduar, por gjithashtu di të gatuaj mirë gjellën me fasule”.

Untitled-1Erald Karriqi, trajner i Domosdovës: “Kolegu im i Tomorit nga Kavaja, vazhdon të na quajë fshatarë, duke ofenduar 60% të popullsisë shqiptare, paçka se fshatar është edhe ai që e ka punësuar”.

Igli Allmuça, trajner i Dinamos: “Arbitri Kridens Meta ishte futur në fushë për t’i dhënë fitoren Pogradecit. E realizoi misionin e tij në mes të Tiranës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"