Kolapsi tek Erzeni, “patate e nxehtë” në dorën e FSHF-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2022 | 20:55

Kolapsi tek Erzeni, “patate e nxehtë” në dorën e FSHF-së

Sezoni 2022-2023 i Kategorisë Superiore do të jetë shumë ndryshe. Jo vetëm sepse skuadra që kanë bërë histori si Dinamo, Skënderbeu, Flamurtari etj., nuk janë në elitë, por sepse një pjesë e klubeve nuk plotësojnë dot as kriteret minimale të vendosura nga FSHF-ja për licencim.

Erzeni festa

Ai që po kalon një moment të vështirë është pikërisht Erzeni, që u rikthye në Superiore pas 19 vitesh, por tani është në kolaps total dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë në vazhdimësi.

PËRPLASJET – Në Shijak nuk janë ende të qartë se çfarë do të ndodhë me skuadrën për sezonin e ri. Që pas përfundimit të kampionatit të Kategorisë së Parë, kur u ngjitën në elitë si vendi i dytë, nuk është bërë asnjë mbledhje për të vendosur se kush do të drejtojë skuadrën apo cili do të jetë grupi i lojtarëve që do të luftojnë në Superiore dhe çfarë buxheti do të përcaktohet për një sezon tejet të vështirë. Përplasjet mes Bashkisë Shijak dhe shoqatës që ka administruar klubin e futbollit sezonin e fundit janë evidente. Kryebashkiaku Elton Arbana ka thënë se klubin e futbollit e administron shoqata.

Erzeni2

Këta të fundit, me përfaqësues zyrtar Fundim Dallakun, kërkojnë nga bashkia të zgjidhë çështjen e stadiumit, duke i hapur rrugën investimit. Nuk përjashtohet mundësia që nëse Erzeni të mbetet në të njëjtën situatë, të rrezikohet edhe pjesëmarrja në Superiore. Nën zë thuhet edhe se lojtarët që rikthyen ekipin në elitë nuk janë paguar për 4 muajt e fundit. Gazeta mëson se nuk kanë marrë ende asnjë sinjal se kur do të shlyhen. Një situatë që jep pak shpresë për vazhdimësinë.

ROLI I FSHF – Superiorja me 10 ekipe ka pasur si qëllim që në elitën e futbollit të garojnë klubet më të organizuara, me financa më të shëndosha dhe me një progres të vazhdueshëm vit pas viti, duke rritur të ardhurat nga marketingu, e drejta TV dhe afrimi i tifozëve.

Nuk ka ndodhur tamam kështu vitet e fundit… Përveçse kemi “humbur” klubet e traditës, duke përfunduar në kategoritë inferiore, në elitë janë ngjitur skuadra që thjesht kanë pasur një grup lojtarësh dhe asgjë më shumë. Pa ekipe moshash apo femrash, pa buxhet të sigurt dhe pa një organizim serioz. Erzeni është nga ato klube që nuk plotëson disa kushte. Tani vendos FSHF nëse do ta licencojë atë dhe ndonjë klub tjetër që nuk plotësojnë kriteret apo do të respektojë rregulloren.

Erzeni

KRYEBASHKIAKU – Elton Arbana jep sinjale pozitive për ndryshimin e situatës te Erzeni. Dje, në një prononcim për “Top Channel”, kryebashkiaku i Shijakut, deklaroi:

“Bashkëpunimi bashkishoqata ka qenë i mirë. Anëtarët e shoqatës janë njerëz që e duan Erzenin dhe Shijakun, kështu që besoj se do të vendosin zemrën edhe për Superioren, që të bëjmë më të mirën e mundshme. Do të bëjmë ç’është e mundur brenda kuadrit ligjor si bashki dhe do t’i japim fushën në përdorim shoqatës. Duhet të mblidhemi dhe të vendosim disa piketa për të ardhmen, që të jemi dinjitozë në elitë, jo thjesht për mbijetesë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"