Kolaps total, Laçi nuk njihet më/ Vukiçeviç s’ka ndërmend të japë dorëheqjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2022 | 21:20

Kolaps total, Laçi nuk njihet më/ Vukiçeviç s’ka ndërmend të japë dorëheqjen

Pesë humbje radhazi me shifrat 1-0! Laçi nuk njihet më dhe ajo fitore e javës së parë të kampionatit ndaj Teutës (3-1) duket aq e largët, saqë në kampin kurbinas sikur janë mësuar me një realitet tjetër.

Trajneri i Laçit, Vukiçeviç logo

Problemet e shumta me lojtarët e dëmtuar, e veçanërisht me emrat që kanë ardhur për të mbajtur peshën kryesore në ekip dhe që s’kanë bërë një fazë përgatitore të mirëfilltë, kanë ndikuar që te Laçi të ketë një krizë të madhe, me rezultate negative të njëpasnjëshme. Skuadra duket totalisht jashtë forme dhe ajo që habit më shumë në këto momente është se ka humbur atë që Laçi ka pasur si “armën” më të fortë në këto 13 vite radhazi në elitë: agresivitetin.

Skuadra ka pranuar në mënyrën më sportive të mundshme humbjet e fundit, ndërsa trajneri malazez, Dejan Vukiçeviç, mesa duket nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen edhe pas pesë rezultateve radhazi negative. Mësohet se presidenti Laska do t’i japë edhe një shans malazezit, teksa ndeshja e radhës e Laçit është shumë delikate, pikërisht të premten ndaj Tiranës në transfertë. Aktualisht pas gjashtë javësh kampionat, bardhezinjtë pozicionohen në vendin e fundit me vetëm tri pikë, si kurrë më parë në 12 sezonet e fundit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"