Kola: Tirana merr pikë në Korçë, Kukësi shpallet kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2017 | 13:50

Kola: Tirana merr pikë në Korçë, Kukësi shpallet kampion

Sëmundja e rëndë e Artur Lekbellos ka tronditur gjithkënd, por mbi të gjitha miqtë e tij. Një ndër ta është edhe Agustin Kola, i cili, veç lidhjes në futboll, ka edhe një raport të fortë shoqëror me “Tushen”. Megjithatë, ish-bomberi i bardhebluve ka një mesazh: “Edhe pse të vonuar, të gjithë duhet të zgjohen dhe ta vlerësojnë Arturin”.

Agustin Kola

Atë që po bëjnë grekët, sipas tij, duhet ta kishin bërë me kohë shqiptarët. Gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri foli edhe për Tiranën dhe rrezikun që i kanoset. Me bindje e thotë që bardheblutë nuk do të humbasin në Korçë dhe do shpëtojnë. Përveç ndihmës, ai nuk sheh kurrfarë “skenari” që mund të rrëzojë 24 herë kampionët e vendit.

Sa është tronditur Kola pas lajmit për Lekbellon?

Isha në dijeni, të them të drejtën. Rrëqethëse. Gjithçka që keni shkruar sot (dje) në gazetë është e vërtetë. Dhe llogariteni pak, të respektojnë të huajt, por jo shqiptarët. Bota kur të jep tituj, e shoqëron menjëherë me një pension nga pas, ndërsa te ne t’i japin pas vdekjes.

A keni folur me Lekbellon së fundmi?

Së fundmi jo, por Arben Vila, ish-lojtar i Tiranës dhe Dinamos, ka qenë andej dhe e ka takuar.

lekbello

Ky hap i bërë nga grekët është shumë domethënës dhe duhet të shoqërohet me refleksion edhe te ne…

Në 6 vite që edhe kam luajtur në Greqi, më kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës dhe më kanë respektuar. Jo vetëm mua, po edhe shumë të tjerë si unë, mjafton të pyesësh Bledar Kolën, Sokol Kushtën, apo edhe të tjerë. Të gjithë e dimë që ai vend mban 1 milion shqiptarë. Unë jam shqiptar dhe sa e dua vendin tim, nuk dua Greqinë. Të jem i qartë. Por, kurrsesi, nuk mund të hedh poshtë vlerësimin. Madje, edhe sot kur më rastis që të shkoj në Greqi më respektojnë edhe policët, ndërsa policët tanë na mbajnë 7 orë.

Doni të thoni që mungon vlerësimi për atë që keni dhënë?

Te ne po, se… jashtë jo. Vetëm këtu nuk ka respekt.

Brezi juaj që ka lënë shenjë në futboll, veç vlerësimeve në letër, a ka benefite financiare?

Vlerësimin unë e marr gjatë gjithë kohës, nga populli. Pra, nga njerëzit që prek përditë. Edhe kur hipi në autobus dhe fatorinoja më njeh, unë ndiej kënaqësi. Mua nuk më ul apo ngre ai 400 lekësh i biletës, por më mjafton fjala kur më thotë: “A je Kola ti?”. Me kaq mbushem.

Agustin-Kola

Përtej popullit, mungon vlerësimi?

Politikanët na duan se kemi emrin, por nuk të respektojnë si njerëz.

Po financiarisht?

Jua thashë, titujt që kam marrë, nuk kanë fund. Por kur mori titullin nga grekët Pirro Dhima, ne e shamë duke thënë “nuk është shqiptar”. Por, pasi mori titullin, që të nesërmen përfitoi edhe pensionin. Kurse këtu, ta japin kur vdes. Kjo nuk ndodh vetëm në futboll, por në çdo fushë të artit. Vlerësimi duhet të jepet sa je gjallë.

Keni një mesazh për të dhënë për këtë situatë?

Për aq shumë sa ka dhënë ai njeri, të paktën duhet respektuar. Edhe pse të vonuar, të gjithë duhet të zgjohen dhe ta vlerësojnë Arturin.

skenderbeu tirana

Kalojmë pak te Tirana dhe rreziku që i kanoset. Si do të jenë këto tri javë të fundit?

Unë kam folur shumë për Tiranën, por me llafe nuk zgjidhet gjë. E di për çfarë më vjen keq?! Ne ish-futbollistët duhet të çohemi. Të mblidhemi dhe t’i japim drejtim kësaj situate.

Çfarë mund të bëni që të sillni zgjidhje?

Ne mund të bëjmë shumë, por jo duke qëndruar në qofteri. Neve na dhemb Tirana. Unë e kam thënë dhe do ta them, ata që mund të quhen “armiq”, do të na ndihmojnë që të mos dalim nga kategoria. Dhe kur them “armiq”, u referohem kundërshtarëve në fushë.

Për kë e keni fjalën konkretisht?

Për të gjithë. Unë mendoj se gjithçka është e zgjidhur, Kukësi do të marrë titullin. Po hyri politika në mes…

Po Tirana do mbijetojë?

Po, do t’ia dalë.

sukaj goli tirana partizani

Ndeshjen që luajnë të hënën në Korçë si e parashikoni?

Nuk humb Tirana. Nuk them që do rrahin Skënderbeun, por pikë do marrim. Është turp të dalë ky klub nga kategoria. Duhet ndihmuar, pasi do të ishte e rëndë. Unë dua të shtoj edhe diçka, dëgjoj edhe tifozë të Partizanit, që u vjen keq. Edhe ata nuk duan që të bjerë Tirana. Edhe pse duhet pranuar, se jemi deri në këtë pikë për fajin tonë.

Ju thatë që Tirana merr në pikë në Korçë, por llogaritë e mbijetesës janë shumë më të komplikuara.A mund të ketë ndonjë “skenar” kundër bardhebluve?

Jo, jo. S’ka mundësi. A kam qenë unë që fola për Josën e Starovën? A e kujtoni që thashë që të mos merren me arbitrat, por në fushë? Dhe ku është sot ai ekip? Këto i kam thënë muaj më parë.

Vllaznia vs Tirana

Partizanin nuk e shihni më për titull domethënë?

Kukësi e merr.

Po në Europë, kush do të shkojë?

Partizani do të jetë i dyti, Skënderbeu i treti dhe njëherësh fitues i Kupës. Për të rënë pastaj, nuk di. Të shohim si do të luhen këto tri javë. Tiranës i duhen 6 pikë që të mbijetojë dhe besoj se do t’i marrë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"