Kola: Në Shqipëri mungon futbolli profesionist, këtu marrin trajnerë nga jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2017 | 22:32

Kola: Në Shqipëri mungon futbolli profesionist, këtu marrin trajnerë nga jashtë

Për vetë jetën që i ka dedikuar Tiranës, është e kotë që ta pyesësh për ndjesinë që përjeton kur kujton që klubi legjendar feston 97-vjetorin duke u bërë gati të luajë në Kategorinë e Parë. Mirëpo, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Agustin Kola tregon se komuniteti bardheblu ka shumë arsye që duhet ta festonte këtë përvjetor.

Agustin Kola

Sipas tij, historia e bën Tiranën që të jetë legjendë, pavarësisht asaj që ka ndodhur. Legjenda e Tiranës ka një koment edhe për klubet e tjera të Superiores, si dhe për zgjedhjen e presidentëve për të marrë teknikë të huaj. “Ata si vijnë, ashtu ikin”, tregon ndër të tjera Kola.

Kola, 97-vjetori i themelimit e gjen Tiranën në të Parën…

Është një gëzim, por edhe një hidhërim. Megjithatë, sot (dje) do të ishte gjëja më e bukur që të mblidheshim që t’u tregonim të gjithëve se kush është Tirana. Ekipi ynë është një legjendë për atë që ka treguar në histori, ndonëse kjo e sezonit të fundit ishte diçka e rëndë.

Si e shihni situatën e klubit?

Nuk e kam ndjekur dhe nuk di të them çfarë po bëhet. Gjithsesi, kam bindjen që Tirana do të rikthehet në Superiore.

Ku bazoheni që e thoni?

Jam i bindur që skuadra është më e mirë sesa rivalet. E kemi ndjekur edhe nivelin në të Parën, por besoj që, me një buxhet të mjaftueshëm, klubi mund të imponohet.

Disa lojtarë të boshtit kanë qëndruar. A mjaftojnë?

Tirana e përballon Kategorinë e Parë shumë mirë në çdo aspekt. Rast për t’u falënderuar më duket ai i Karabecit apo i Likës. Të dy qëndruan dhe nuk e braktisën ekipin. Kjo është vlerë që duhet respektuar. Ata, të gjithë pa bërë asnjë dallim, do të mbahen mend për keq në historinë e këtij klubi, por në të gjithë atë që ndodhi, ky veprim tregon shumë.

Keni një urim apo një thirrje për komunitetin bardheblu?

Të gjithë e mbështesin ekipin kur fiton, por e mira është që të jemi bashkë dhe, në këtë moment, të bëhemi forcë për të treguar kush jemi. Skuadra të mos braktiset. Ne, po u referohem tiranasve, të lëmë pas krahëve inatet me njëri-tjetrin, sepse për fat të keq kjo po i mungon Tiranës.

Për herë të parë, nga Shqipëria ikën një lojtar në Spanjë dhe Tirana fitoi 400 mijë euro nga Merveil…

Nuk e kam ndjekur shumë klubin dhe çfarë po ndodh me të, mbase edhe nga mërzia e rënies nga kategoria dhe informacionet i kam vetëm nëpërmjet mediave. Gjithsesi, nëse është e vërtetë, është shifër e konsiderueshme.

Nëse bëni një rikthim në kohën tuaj duke supozuar të ishte demokraci, kush prej futbollistëve mund të largohej në Europë?

Për të mos folur për lojtarët e Tiranës që kishte shumë në atë periudhë, mund të them edhe për lojtarët e Fierit apo Vlorës ose Shkodrës etj., që mund të luanin pa frikë në ligat europiane. E shumë e shumë lojtarë të klubeve të tjera jam i bindur që kishin cilësi për të luajtur jashtë vendit.

Si ju duk paraqitja e Tiranës në Europë?

Jua thashë edhe më sipër që mërzia për atë që ndodhi, më ka bërë të distancohem disi dhe të mos e ndjek. Po them vetëm që ishin dy ndeshje, ku ekipi provoi, por u eliminua.

Po e Partizanit?

Ishin vetëm dy ndeshje. Nuk mund të them shumë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë këtë vit në kampionat.

Skënderbeu sërish në kërkim të historisë?

Është kënaqësi të shohësh një ekip shqiptar që të na përfaqësojë në të tilla nivele. Nuk ka të bëjë aspak tifozllëku i gjithsecilit, kur ajo luan në Europë me flamurin shqiptar. Nëse do të luajë kundër Tiranës, unë sigurisht që nuk do ta mbështes Skënderbeun, por në këtë rast ndryshon.

Si e shpjegoni faktin që Kukësi, i shpallur kampion, ka shumë futbollistë që kanë kërkuar largimin?

E kam thënë prej kohësh që të tilla gjëra i bën politika. Gjici kërkoi të bëhej deputet dhe, duke qenë se nuk u bë, investimet nuk do të jenë më aq të mëdha për ekipin. Nuk shkon më që të vijohet me të tilla gjëra. E kam theksuar disa herë që, siç dihej për Skënderbeun para gjashtë vitesh, edhe Kukësin në vitin që shkoi.

Kola - Halili 1

Po ju rithem edhe një herë në deklaratën që kam thënë: Kukësi do të dalë kampion se e do politika. Në fakt, ashtu ndodhi realisht, pasi në vite zgjedhore i kemi parë të tilla gjëra në vendin tonë.

Si ju duket fakti që shumë klube i janë drejtuar tregut të huaj për trajnerë nga Italia apo Serbia, ndërkohë që teknikët shqiptarë janë të lirë?

Po ju përgjigjem me një shprehje popullore të vjetër: “Ne nuk kemi gomar, ndërkohë që këta duan të zgjedhin një samar të bukur”. E thënë ndryshe, në Shqipëri mungon futbolli profesionist, ndërsa këtu duan që të marrin trajnerë profesionistë nga jashtë. Është tjetër gjë situata e Kombëtares, që ka lojtarë që luajnë jashtë. Për mua, është thjesht “show” i presidentëve. Jo gjithmonë me të keq, por më duket e tepërt që të jepen paga stratosferike për trajnerët e huaj. Ata si vijnë, ikin.

Gjithsesi, për mua, gabimi është i madh te fakti që një pjesë e madhe e klubeve nuk janë të privatizuar. Në Shqipëri ka shumë ekipe, si në rastin e Tiranës që personi, i cili e drejton nuk e ka të vetin. Atij i është dhënë në përdorim për disa vite, por është logjikë e gabuar. Në një biznes, askush nuk investon kur e ka me qira, por bën shumë kur e ka pronë të tijën. Kjo është “A”- ja e futbollit në vendin tonë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"