KOKSH tremb Gjozën: Pasoja të rënda nëse shkelet statuti, FSHP na ka paraqitur shkeljet e ish-presidentit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2020 | 12:55

KOKSH tremb Gjozën: Pasoja të rënda nëse shkelet statuti, FSHP na ka paraqitur shkeljet e ish-presidentit

Siç dihet, asambleja zgjedhore e Feder atës Shqiptare të Peshëngritjes, e zhvilluar më 14 nëntor, dështoi për shkak se nuk u pranua që të votohej për rikthimin në garë të kandidatit për president Elez Gjoza. Mbështetësit e Gjozës kërkuan me ngulm që të bëhej votim për rifutjen në garë të ish-presidentit, i cili ishte përjashtuar nga komisioni i verifikimit të kandidaturave. Për këtë komision, Gjoza, ashtu sikurse dy kandidatët për anëtarë të KD-së, Asim Belinova dhe Kreshnik Leka, nuk përmbushnin kriteret statutore të FSHP-së. Kjo gjë solli përplasje të forta deri në konfrontimi fizik, duke bërë që të caktohet një asamble e jashtëzakonshme zgjedhore më 14 dhjetor. Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Kreu i KOKSH paralajmëron shtangën se do të merren masa nëse zgjedhjet bëhen në kundërshtim me statutin, teksa bën me dije sa ka marrë edhe një shkresë nga federata lidhur me shkeljet e Gjozës, të cilat kanë sjellë edhe përjashtimin e tij.

bezhani (1)

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Bezhani sqaroi pozicionimin e KOKSH, duke u shprehur kështu për këtë problematikë: “KOKSH nuk mund të influencojë në zgjedhjet e presidentit dhe komitetit drejtues të FSHP-së. Këtë deklaratë e bëra edhe gjatë asamblesë, pra ne nuk mund të ndërhyjmë, por do të kërkojmë zbatimin e statutit të federatës. Në këtë rast, nëse federata bën të ditur që kandidimi i Gjozës nuk lejohet për shkak se është në kundërshtim me statutin dhe ka shkelje, automatikisht mund të merren masa, të cilat do të shqyrtohen në Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar”, shprehet fillimisht Bezhani, i cili më pas shton: “Në materialin e paraqitur nga federata vërehen 3-4 pika të shkelura. Megjithatë, ne nuk e kemi parë ende me hollësi statutin e tyre. Nëse komisioni i etikës ka vepruar në bazë të statutit dhe nëse do të ketë shkelje, atëherë ky do të jetë një gabim i rëndë për ta dhe do të ketë pasoja, sepse statuti është i miratuar në gjykatë”, deklaroi Bezhani. Siç dihet, në vitin 2018 Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar mori masa shumë të rrepta ndaj peshëngritjes, pas 12 rasteve të dopingut që tronditën të gjithë Shqipërinë.

Përjashtimi i drejtuesve të shtangës asokohe ishte një kusht i panegociueshëm nga KOKSH për vetë rrethanat e jashtëzakonshme që ishin krijuar. Kështu që, nëse do të kemi një shkelje të statutit në zgjedhje, ashtu sikurse e bën të ditur Bezhani, Komiteti Olimpik do të mblidhet për t’i shqyrtuar dhe paralajmëron sërish masa të ashpra. Ndërkohë, Bezhani bën të ditur se për kaosin e shtangës i kanë kërkuar informacion edhe zyrtarë nga jashtë Shqipërisë: “Është një situatë vërtet alarmante, pasi problematika e shtangës po bën jehonë edhe jashtë. Së fundmi disa zyrtarë po më kërkojnë informacione se çfarë po ndodh me peshëngritjen në Shqipëri”.

Elez gjoza

“QËNDRIMI I MINISTRISË, I TURPSHËM”

Viron Bezhani fajëson edhe Ministrinë e Sporteve për situatën e krijuar në peshëngritje. Kreu i KOKSH sulmon hapur drejtuesit e ministrisë për injorimin që i bënë asamblesë zgjedhore, në të cilën nuk ishte askush i pranishëm. “Është e pafalshme dhe një veprim aspak i drejtë i bërë nga ministria. Duke e ditur që kjo federatë kishte probleme, ata zgjodhën që të mos ishin të pranishëm. Një sjellje aspak normale”, deklaron Bezhani, i cili më tej shton: “Federata Shqiptare e Peshëngritjes vërtet është anëtare e KOKSH, por ajo ka varësi direkte nga ministria. Është ministria ajo që e firmos statutin, ajo që jep lekët dhe firmën e kësaj federate.

Nëse federata është në rrugë të drejtë, sigurisht nuk ka pse të ndërhyjë, por nëse nuk është në rrugë të drejtë, duhet të ndërhyjë patjetër pasi s’mund t’i lejojë të veprojnë në atë mënyrë e t’u thotë ‘Hëngshi kokat me njëri-tjetrin’. Një injorim të tillë nuk mundet kurrsesi ta bëjë, pasi në fund është ministria ajo që e jep vulën për funksionimin e kësaj federate. Ndërsa tani kanë nxjerrë një teori tjetër, ku thonë se janë të pavarur. Është një turp i madh që në 2020-ën zyrtarët e ministrisë të qëndrojnë në karrige pa e vrarë fare mendjen në një kohë kur në federatë ndodhin fenomene të tilla. Në një situatë si kjo, ata nuk duhet t’i zërë gjumi, duke nisur që nga ministrja, zv.ministri e me drejtorë me radhë. Është një krim kjo që po bëhet. Ministria duhet t’i kishte marrë të gjitha materialet dhe duhet të ishte e para që ta shuante këtë sherr”, përfundon presidenti i KOKSH-it.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"