KOKSH, si streha e fundit e “hallexhinjve”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2020 | 23:21

KOKSH, si streha e fundit e “hallexhinjve”!

Nga ARTAN SHYTI

sHYTI

Sekretariati” i KOKSH ka nxjerrë përpara disa ditësh një njoftim që thërriste anëtarët e KOKSH në dy asamble të përgjithshme me distancë 10 ditë nga njëra-tjetra!? Asambleja e parë është statutore në 13 dhjetor. Tjetra, pas 10 ditësh, në 23 dhjetor, do të bëjë zgjedhjet e organeve të reja drejtuese, bazuar në statutin e miratuar 10 ditë më parë!?

Në historinë botërore të funksionimit të organizatave sportive është hera e parë që thirren dy asamble, njëra statutore dhe tjetra zgjedhore, brenda 10 ditësh. Dhe, vini re, nuk i thërret presidenti, siç e kërkon statuti, por një “sekretariat” që nuk ekziston si organ apo autoritet drejtues në asnjë rresht të statutit të KOKSH. Me siguri pas “sekretariatit” fshihet, si gjithmonë, famëkeqi Bello, sepse neni 22 i statutit të KOKSH flet për sekretar të përgjithshëm dhe jo për “sekretariat” anonim.

Duket si një tjetër rast tipik “hidh gurin e fshih dorën…” që do të vazhdojnë derisa “të pritet kjo dorë” përfundimisht. Si mund të mendohet që brenda 10 ditësh nga ndryshimet statutore në asamblenë e parë, të merret miratimi në MASR, të çohet statuti dhe miratohet në gjykatë, pastaj të njoftohen publikisht kriteret e kandidimit, të paraqiten dhe shqyrtohen kandidaturat, të njoftohen anëtarët e asamblesë, të vijnë njoftimet zyrtare të anëtarëve për delegatët dhe të bëhet asambleja zgjedhore?

Ndërkohë që është kërkesë e panegociueshme statutore që asambleja duhet thirrur 30 ditë përpara datës së mbledhjes… A e dinë ata që ndërmarrin veprime të tilla skandaloze se statuti nuk hyn në fuqi pa u miratuar në MASR dhe gjykatë!? Po që zgjedhjet e bëra me një statut të pamiratuar në gjykatë, janë nul dhe nuk u njihet rezultati? Me siguri e dinë. Po atëherë cili është ky hall i madh që i shtyn ideatorët e këtij absurdi të veprojnë kështu?

Sado i madh që të jetë halli i tyre personal, nuk mund të katandisë deri në këtë nivel seriozitetin e një organizate sportive të rëndësishme, si KOKSH. Kush është bërë për gjynah si individ, nuk mund të bëjë edhe KOKSH për gjynah… Sepse, KOKSH nuk mund të jetë streha e fundit e “hallexhinjve”!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"