KOKSH përgënjeshtron Bezhanin: Asambletë, “OK” me rezolutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 22:42

KOKSH përgënjeshtron Bezhanin: Asambletë, “OK” me rezolutën

Në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar vijon përplasja për datën e asamblesë së jashtëzakonshme zgjedhore, ku palët duken shumë larg për të gjetur gjuhën e përbashkët. Siç dihet, gjithçka ka shpërthyer pas njoftimit të dyfishtë të sekretariatit të KOKSH, i cili u dërgoi federatave anëtare vendimin e marrë nga Komiteti Ekzekutiv për të zhvilluar më 13 dhjetor asamblenë statutore dhe më 23 dhjetor atë zgjedhore, por kjo gjë ka ndeshur kontestime të forta, duke nisur që nga presidenti Bezhani. Ai e quan të jashtëligjshëm zhvillimin e asamblesë zgjedhore vetëm 10 ditë pas asaj statutore.

KOKSH-seminar-2017-Bello-Bezhani-Gjonaj

Bezhani ka shpjeguar se në këtë mënyrë nuk zbatohet kushti themelor i rezolutës për të shkuar në zgjedhje me statut të ri. Kjo, pasi 10 ditë diferencë nuk mjaftojnë që statuti i ri të miratohet në gjykatë apo të kalojë në ministri. Për veprimin e sekretariatit të KOKSH ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Pak ditë më parë, kreu i FSHFsë, Armand Duka, me anë të një letre e quajti “pseudonjoftim” të jashtëligjshëm lajmërimin e dyfishtë që ka bërë KOKSH. Madje, mësohet se FSHF do ta padisë në gjykatë Komitetin Olimpik për këtë veprim. Ndërkohë, Bezhani gjithashtu bëri lëvizjen e radhës, duke njoftuar të gjitha federatat anëtarë se më 23 dhjetor nuk do të ketë asamble zgjedhore dhe se lajmërimi që kanë marrë nga sekretariati i Komitetit Olimpik është në shkelje të statutit.

Por, vetëm një ditë më parë sekretaria e KOKSH vendosi të kundërpërgjigjej me anë të një tjetër njoftimi të publikuar edhe në faqen zyrtare, ku konfirmon edhe një herë se gjithçka po bëhet në përputhje me rezolutën dhe se më 23 dhjetor do të mbahet asambleja zgjedhore. Ja çfarë shkruan ndër të tjera KOKSH në njoftimin e fundit drejtuar anëtarëve: “Vendimi i Komitetit Ekzekutiv bazohet në zbatim dhe plotësim të rezolutës së gjithëpranuar nga të gjithë anëtarët e asamblesë së përgjithshme të KOKSH më datë 09.02.2020, në të cilën përcaktohet qartë hierarkia vendimmarrëse dhe afatet kohore. Komiteti Ekzekutiv nuk mund të marrë vendime individuale ose të njëanshme dhe të gjitha vendimet e marra nga organet drejtuese të përmendura më lart duhet të respektohen. Duket qartë që presidenti është duke u shprehur me vendime të njëanshme, gjë e cila është në kundërshtim me rezolutën. Të nderuar anëtarë, luteni të respektoni rezolutën dhe hierarkinë vendimmarrëse në mënyrë që t’i jepet sa më shpejt zgjidhje krizës së KOKSH”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të KOKSH.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"