KOKSH, mes Mujit dhe Halilit…!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Janar 24, 2020 | 21:49

Lajmi i fundit Opinion

KOKSH, mes Mujit dhe Halilit…!

GERTI ÇARÇANICarcani

Çorba e muajve të fundit në komitetin olimpik ka marrë përmasa të atilla saqë ka konsumuar të gjitha termat e mundshme të një satire të shëmtuar mes aktorëve dhe faktorëve në KOKSHin e lodhur dhe të sfilitur nga shkarkuesit dhe të shkarkuarit. “Muji dhe Halili”, ose Vironi me Stavrin (ndjesë dhe mirëkuptim prej tyre për këto epitete metaforike në këto radhë) vijojnë ende “të zbavisin” dynjanë, ku së bashku me stafet respektive, mbajnë llogoret e një beteje që do të përfundojë me dy asamble, me pritshmëritë e një sherri të madh dhe me sy e veshë nga bota se kë prej tyre do të njohë CIO.

Në fare pak kohë, ka ndodhur pak nga çdo gjë, por e turpshmja ka kaluar çdo vijë të kuqe, saqë tashmë është kthyer në objekt për formatet TV të satirës, pse jo, edhe një sugjerim konkret për ta.

Muji dhe Halili kanë bërë shumëçka mes vedit, për të rrëfyer se çfarë ndodh në KOKSH. Vironi mbeti ekraneve me denoncime, ndërsa Stavri s’del, sepse kolegjialisht ka një vendim që të mos i jepet asnjë përgjigje një presidenti që ka cenuar imazhin “e dhjerë” të olimpizmit shqiptar. Nga një dashuri e zjarrtë mes tyre dikur, tashmë, si Muji edhe Halili përfunduan te… “mos më çaj BY-në”, sikundër e thotë mrekullisht bukur president Bezhani në shumë studio. Madje, ka zëra por nuk është ende e konfirmuar që të dy në distancë dëgjojnë prej pak javësh, madje edhe ndonjëri e ka vënë edhe si zile celulari, melodiozen e Michael Bolton: “Said I love you, but I lie” (të thashë të dua, por të gënjeva).

Njëri nuk resht së kërkuari drejtësi dhe asnjëherë s’e thotë që në KOKSH është vjedhur, por vetëm abuzuar. President Vironi citon deri edhe SPAK-un, apo edhe ambasadën amerikane, për të vënë drejtësi për lekët e dhëna Federatës së Harkut etj., etj., apo rrogat e shtuara të administratës së Stavrit. Ky i fundit mbyllet brenda, sapo merr vesh që Vironi me ca policë ka ardhur të hyjë me forcë në zyra.gerti carcani

Njërin e pezullojnë si president, me interpretimin brilant që statuti as na e lejon, por as nuk na pengon, pra as të ashtu, as të lëshon. Më pas, si për të nxjerrë ndeshjen barazim, Vironi mbledh tre vetë, në tre mbledhje radhazi, dhe pezullon ata që e lanë jashtë e ngre komitet paralel, emëron sekretar paralel, e çon për miratim në ministri, dhe… kaq. Këtu plas pastaj “sherri” me Ninen… por tjetër melodi kjo.

Muji dhe Halili e nisën dyshe mjaltin dhe po e vazhdojnë po dyshe. Pasi shpejt do të ketë dy asamble paralele.

Të pyesësh Stavrin për vendimmarrjet, me të drejtë thotë që ka vendosur maxhoranca në Komitet si demokraci absolute vote. Dhe s’ke ç’ti thuash. Të pyesësh Vironin, thotë që: “unë jam presidenti”, por ata s’më… unë kam statutin, ata kanë arrogancën, por kanë edhe numrat. Vota e Vironit është vetëm një dhe numërohet si e tillë, po një. Dhe vetë ai mendon që në këtë pikë, nuk është faji i Stavros (siç ka qejf shef Vironi ta lakojë në media Bellon), që sekretari i dashurisë së parë ka komitetin me vete dhe presidenti i divorcit të dhimbshëm ka vetëm dy vetë me vete…

Në media publikohet një rekomandim nga CIO për asamble të jashtëzakonshme me Komitetin ekzistues, Vironi nuk e njeh dhe thotë se do vijë një tjetër letër. Po mbaron janari, ka ardhur vetëm ajo e Zheromes. Vironi pret, ne presim, gjysma qeshin, por asgjë s’ka ardhur.

Stavri dhe komiteti vendosin Asamblenë (thonë pa rend dite), por rendi i ditës është i qartë: shkarkoni Bezhanin. Ngarkohet dhe firmos z. Vojo dhe menjëherë Vironi e sulmon në gjyq për moskompetencë. Sërish nga e para. Gallata shtohet.

Në heshtje, tashmë ka nisur libri i shtëpisë, kanë dalë muskujt, të tërë janë fryrë, askush nuk e thotë që është bërë vjedhje, përfshirë vetë Vironin, që shkon deri tek abuzimi. Pret drejtësinë. I duhet të presë mbase gjatë, gjithmonë me frikën dhe druajtjen që mund edhe të mbyllet si çështje. Mbase i del djalë, sepse vetë ai rekomandon të pyesni Stavrin se çfarë cigaresh do, për t’ia çuar më pas diku gjetkë…

E së fundmi, ka nisur edhe ankandi i madh se kush do të bëhet president i ardhshëm. Ka lëvizur uji. Çdo ditë dëgjon emra që befas shfaqen si nominime potenciale të ngjiten në këtë vend ku paska qenë leku i madh. Askush s’e dinte, por Vironi këmbëngul. Dhe me bindje, por gjithmonë i kujdesshëm, duke deklaruar: “Nuk them që ata kanë vjedhur, por, o zot ç’është bërë aty…”.

Në mbyllje, amnezia e KOKSH është momentalisht e pashërueshme. “Ndërhyrja kirurgjikale” e Asamblesë lips një president të ri, një sekretar të ri dhe një Komitet tërësisht të ri. Të tjerët, ekzistuesit, me fondet e Harkut, të marrin pushimet… Boll e “shkepën” këtë institucion me të gjitha mjetet e mundshme që patën në duar. Ia kanë ndierë lezetin gjatë e mbase prandaj nuk ikin…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com