Kohë llogarish te Milani, Boban duhet të shesë një… ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2019 | 10:53

Kohë llogarish te Milani, Boban duhet të shesë një… ekip

Afrimet, sidomos ato me përvojë, janë në rend të ditës, por krerët e Milanit kanë të bëjnë edhe me shitjet. “Djalli” ka nevojë për para, por edhe për të ulur kostot, e në “listën e zezë” të drejtuesve kuqezinj ka një ekip të tërë që mund të sakrifikohet në janar.

donaruma

PORTA — Shitja e Xhanluixhi Donarumës shndërrohet në refren sa herë “Djalli” vihet në gjurmët e ndonjë futbollisti të shtrenjtë. PSG do të mundohet të bindë kuqezinjtë, të cilët do të realizonin një plusvalencë rekord duke qenë se portieri është produkt i akademisë.

Konti

PRAPAVIJA — Me krahun e majtë të sistemuar Stefano Pioli duhet të zgjedhë në krahun e djathtë mes Kalabrias dhe Kontit. Klubi mund të huazojë Kontin për t’i dhënë më shumë hapësira e për ta pasur pas një viti në kushte ideale. Një tjetër opsion është shitja e njërit nga dy anësorët aktualë për të afruar një lojtar me gatishmëri për të qëndruar në stol.

Bilja 2018

MESFUSHA — Bilia mund të kuptojë se i ka ardhur fundi kohës së tij në rast se deri në fund të dhjetorit Pioli s’i jep dot një status protagonisti. Rreth tij ka interes, por rroga 3 milionë euroshe është pengesë për klubet që e dëshirojnë. Disi më ndryshe situata e Kesit. Milani nuk ka askënd me karakteristikat e tij, por në rast oferte rreth 30 milionë euro, Maldini nuk do të ngurronte ta shiste. Me Paketan dhe Bonaventurën e shëruar, komplikohet pozicioni i Hakan Çalhanoglusë. Edhe ai mund të bëhet “kokë turku” nëse mbërrin oferta e duhur. Diskutim i ngjashëm për Rade Kruniçin, i cili nuk po gjen hapësirë, por deri në janar mund të ndryshojnë shumë gjëra.

lojtaret

NË SULM — Samu Kastijeho është në krye të listës së shitjeve dhe kjo u kuptua që në skonton që Milani i bëri disa klubeve në verë. Disi më e ndryshme situata e Susos. Spanjolli gëzon admirimin e të gjithëve në klub, por shitja e tij do të sillte një plusvalencë të majme duke qenë se “Djalli” e ka afruar falas. Në rast se situata nuk ndryshon, edhe Ante Rebiç mund të mendojë largimin, aq më tepër që në kuadër të Europianit s’do të dojë të humbasë vendin te Kroacia.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"