“Koha që ne vlonjatët ta nderojmë Flamurtarin”, Qarri: Presim Ribajn dhe Moçkën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2020 | 23:07

“Koha që ne vlonjatët ta nderojmë Flamurtarin”, Qarri: Presim Ribajn dhe Moçkën

Tashmë është e qartë se rikthimi i Flamurtarit në Superiore është një detyrë për djemtë e rinj vlonjatë. Mateo Qarri, një nga titullarët më të rëndësishëm të ekipit të sezonit të ri, ka bindjen se ekipi do të kthehet shumë shpejt në elitën e futbollit shqiptar. Për “Panorama Sport” Qarri flet si kapiten i skuadrës dhe thekson se ka ardhur momenti që vlonjatët të tregojnë aftësitë e tyre. Sipas tij, me rikthimin e Ribajt dhe Moçkës, grupi do të jetë i konsoliduar.
608761-1538320314
“Mendoj se ka ardhur koha dhe shansi që ne si lojtarë vlonjatë të tregojmë aftësitë tona. Është një mundësi e mirë për të gjithë ne, sepse kemi që në ekipet e moshave bashkë dhe kemi fatin të jemi përsëri tek ekipi i parë i Flamurtarit. Patjetër që Kategoria e Parë ka një tjetër nivel dhe duan pak kohë lojtarët e rinj që të përshtaten. Megjithatë, jam i bindur se ata do të ingranohen shumë shpejt. Kanë dëshirë për të punuar dhe për të shfrytëzuar këtë mundësi që po u jepet. Mendoj se me ardhjen e Andi Ribajt dhe Shpëtim Moçkës do të jemi të kompletuar dhe të konsoliduar si grup. I presim të na bashkohen së shpejti dhe të punojmë të gjithë bashkë për kampionatin e ri dhe për objektivat që kemi. Jam i bindur se me dëshirën dhe kontributin e të gjithëve, do të kthehemi shpejt atje ku e meritojmë të jemi gjithmonë. Duhet ta kthejmë Flamurtarin në elitën e futbollit shqiptar dhe besoj se kjo gjë do të ndodhë. Po stërvitemi maksimalisht çdo ditë për këtë objektiv”, është shprehur Qarri.

SHIRITI
Mateo Qarri e vlerëson si një privilegj të madh mbajtjen e shiritit të kapitenit te Flamurtari. Vlonjati thotë se do të japë gjithçka nga vetja për ta shpërblyer besimin e drejtuesve. “Është privilegj të jesh lider i një ekipi me emër dhe traditë, siç është Flamurtari. Falënderoj drejtuesit për mundësinë që më kanë dhënë. Do të bëj maksimumin tim për ta shpërblyer besimin me lojë dhe rezultate”, ka përfunduar mbrojtësi 21-vjeçar, Mateo Qarri.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"