Koha për të ndihmuar futbollin dhe për të mbajtur premtimet e dhëna

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2020 | 20:49

Koha për të ndihmuar futbollin dhe për të mbajtur premtimet e dhëna

SULEJMAN MEMA

mema

Futbolli shqiptar, për fat të keq, ndodhet në një udhëkryq të vështirë si kurrë më parë në këto 30 vite tranzicion që pas rënies së komunizmit. Është e qartë se klubet e kanë të pamundur të vazhdojnë në këtë mënyrë, me biznese që investojnë në futboll, por nuk marrin asnjë lehtësi apo asnjë formë nxitjeje nga qeveria (jo thjesht kjo aktualja, por nga të gjitha qeveritë). Askush nuk e do bojkotin, as klubet, as futbollistët, por kuadri ligjor në fuqi ua vështirëson shumë të ardhmen investitorëve të futbollit. Klubet mund të rrezikojnë kolapsin financiar nëse nuk mbështeten nga qeveria.

Të gjendura në këto kushte, klubet janë dorëzuar dhe po përpiqen të kërkojnë disa të drejta. Janë vetëm 4 kërkesa që ata i drejtojnë kryeministrit Rama, i cili u kishte premtuar personalisht zgjidhjen e tyre (por edhe më tepër) më shumë se 1 vit e gjysmë më parë gjatë një tryeze me përfaqësuesit e klubeve dhe FSHF-së.

Pra, praktikisht klubet kërkojnë vetëm mbajtjen e premtimeve nga ana e kryeministrit. Ky i fundit i dërgon një negociator komunitetit të futbollit për t’u ulur në një tryezë. Po çfarë mund të zgjidhet me përfaqësues të dorës së dytë, kur negociatat me ministra, drejtorë e teknicienë vijojnë prej katër vitesh dhe nuk kanë nxjerrë asgjë në dritë? Është e qartë se takime me deputetin Fidel Yllin dhe ministren e Financave nuk mund të sjellin asnjë produkt.

Është e qartë se këtu ka nevojë për vullnet të mirë nga ana e kryeministrit për të nxjerrë nga kriza futbollin shqiptar. Kjo nuk është një çështje politike kurrsesi, por vetëm sportive. Deklaratat që hidhen lart e poshtë se këtu po bëhet një luftë politike nuk qëndrojnë dhe vetëm e devijojnë thelbin e çështjes, duke e spostuar në debate politike të ditës. Klubet nuk e shohin qeverinë si një armik, por si një partner, me ndihmën e të cilit mund të ndërtojnë të ardhmen e futbollit.

bojkoti666

Klubet nuk i bëjnë “shantazh” apo “presion” qeverisë (terma ta pavend që janë përmendur nga përfaqësues të maxhorancës), sepse thjesht e kanë të pamundur ta bëjnë këtë gjë dhe nuk i kanë hyrë kësaj historie për një qëllim të tillë. Ato bëjnë apel për mbajtjen e premtimeve nga kryeministri, bërjen e disa ndryshimeve ligjore, që jo vetëm nuk kërkojnë para nga buxheti i shtetit, por përkundrazi do të ndihmojë buxhetin e shtetit në të ardhmen, pasi me formalizimin e futbollit do të ketë më shumë të ardhura në arkën e shtetit. Federata e Futbollit nuk përfiton asgjë në këtë mes, vetëm klubet janë përfituese nga këto ndryshime ligjore. Ndaj, kjo është një kauzë totalisht e klubeve.

Kualifikimi i të gjitha skuadrave shqiptare në turin e parë në kompeticionet europiane ishte një arritje domethënëse. Fakti që Tirana dhe Laçi kishin nga 4 të rinj në formacionet e tyre ishte gjithashtu një sinjal tejet shpresëdhënës. Klubet shqiptare kanë nevojë më shumë se kurrë që të fuqizohen financiarisht dhe paralelisht me të ardhurat në Europë, të mund të kenë një mbështetje edhe brenda vendit të tyre.

Kam vënë re që përfaqësuesit e qeverisë nuk përmendin në asnjë rast kostot për buxhetin, nëse pranohen këto kërkesa. A është vërtet një barrë kaq e madhe? Unë nuk jam specialist financash, por nga bisedat që kam bërë me ekspertë të fushës më kanë siguruar se fatura për shtetin nuk është aq e rëndë.

Edhe vetë negociatori i qeverisë, Fidel Ylli (i cili është njeri i sportit dhe i respektuar nga komuniteti sportiv), i ka mbështetur kërkesat e klubeve dhe i ka cilësuar si të drejta. Atëherë pse nuk merren parasysh? Përse duhet negociuar? Ky moment duhet shfrytëzuar që të marrë zgjidhje njëherë e mirë e gjithë problematika që ka futbolli shqiptar.

Nëse vërtet ka vizionin e duhur dhe dëshirën e mirë për të ndihmuar futbollin, kreu i qeverisë duhet të ndërhyjë tani dhe ta ndërpresë këtë bojkot. Do të bëjë një të mirë që do të mbahet mend gjatë dhe do t’u shërbejë fëmijëve tanë, që janë e ardhmja e këtij vendi. Do t’i shërbejë futbollit, do t’u shërbejë investimeve dhe do t’i ndihmojë klubet dhe akademitë që ta mbajnë veten dhe të ndërtojnë strategji afatgjatë për të ardhmen. Futbolli ka nevojë për të gjithë, ka nevojë për mbështetjen e qeverisë, në radhë të parë, dhe të gjithë shoqërisë shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"