“Koha për ndryshim në Laç, e thyejmë tabunë e kësaj fushe”, Brdariç: Kampionati më i vështirë, ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 9:15

“Koha për ndryshim në Laç, e thyejmë tabunë e kësaj fushe”, Brdariç: Kampionati më i vështirë, ia dalim

Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç është shprehur i bindur se ekipi i tij nuk do ta zhgënjejë askënd duke filluar nga transferta e sotme në Laç. Në konferencën për mediat një ditë para takimit me kurbinasit, gjermani u shfaq shumë optimist.

Brdaric Vllaznia

“Na pret një përballje e vështirë ndaj Laçit, por hapi i parë është arritur, pasi kemi një atmosferë shumë të mirë në dhomat e zhveshjes. Do të përshtatim disa lojtarë të rinj me ekipin tonë. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë këto javët e fundit. Jemi në një sezon të ri dhe e dimë se si janë kushtet.

Mendoj që jemi në rrugën e duhur për të qenë konkurrues në Laç. Fatkeqësisht nuk jemi të plotë prej disa dëmtimeve, por kemi lojtarë të tjerë të uritur për të dhënë gjithçka për këtë skuadër, për t’iu treguar edhe tifozëve të Vllaznisë se çfarë dimë të bëjmë. Ne do të jemi së bashku me tifozët tanë, të gatshëm për të dhënë më të mirën.

Mendoj se ky kampionat është më i vështirë sesa vjet, por ne do të dimë të bëjmë atë që bëjmë më mirë. Sigurisht që ne duam të përmirësohemi dhe të jemi një ekip më i mirë. Kjo është një lojë dhe jo një luftë. Ne duhet të argëtohemi dhe të jemi gati qoftë fizikisht apo mendërisht për të përballuar një sezon të gjatë”, ka thënë fillimisht trajneri kuqeblu.

TRANSFERTA – Në vitet e fundit përballjet me Laçin nuk kanë shkuar siç duhet për Vllazninë, ndërsa Brdariç, i pyetur dje nëse është koha për revansh, u shpreh: “Është koha e duhur për të pasur një ndryshim. Në Shqipëri është si zakon që ekipet që luajnë në transfertë e kanë të vështirë të thyejnë vendësit, por për mua e rëndësishme është që bërthama të jetë mirë dhe të thyejmë atë tabu. Unë besoj se do të kthehemi me tri pikë në Shkodër”.

Në fund, Brdariç komentoi edhe synimet që ka Vllaznia këtë sezon. “Ne duhet të arrijmë të zhvillohemi së bashku. Duhet bëjmë gjithçka më mirë, të kemi kushte më të mira në të gjitha aspektet. Unë kam besim te zoti Xhaferi pas privatizimit të klubit. Besoj se do të jetë rruga e duhur për të ecur përpara”.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"