Koha nuk premton te Skënderbeu, Shehi bën tentativën e fundit për senatorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2018 | 22:01

Koha nuk premton te Skënderbeu, Shehi bën tentativën e fundit për senatorët

Koha nuk premton, ndaj te Skënderbeu po nxitojnë që të mbyllin marrëveshjet me lojtarët pa kontratë. Orges Shehi është ai që ka marrë përsipër që të bindë “senatorët” dhe po bën çmos që ata të shkojnë drejt firmës. Bisedat telefonike janë shtuar ndjeshëm së fundmi si me Vangjelin, Micin, Osmanin dhe Muzakën. Burime pranë ish-portierit zbulojnë se ai është optimist dhe mendon që shumë shpejt ata do të rikonfirmohen.

Skenderbeu kapiteni

E vetmja gjë që i mban “peng” është garancia financiare, ndërsa duhet thënë që klubi ka menduar që t’u ulë ndjeshëm pagat. Plani është që me rroga të përgjysmuara të shkojnë deri në janar të 2019-ës dhe më pas mund të ridiskutojnë për kushtet e kontratës. Muzaka dhe Vangjeli thuhet që kanë dhënë parimisht fjalën e tyre për t’u rikthyer në Korçë, e megjithatë kjo mbetet sërish për t’u parë, e sidomos kur dihet që në Vlorë po presin Muzakën.

Ndërsa nga ana tjetër, më të pavendosur vijojnë të mbeten Osmani dhe Mici. Korçari duket se po tundohet nga ofertat e Teutës dhe Flamurtarit që e duan pjesë të ekipit. Ndërsa Mici është duke lakmuar një aventurë jashtë vendit dhe nëse nuk përmbushet transferimi, atëherë do të qëndrojë në Shqipëri, me Flamurtarin që duket se është i interesuari i parë për shërbimet e fierakut. Në të tilla kushte mbetet që kjo javë të sjellë mjaft të reja për sa i përket ndërtimit të ekipit bardhekuq të Skënderbeut.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"