“Koha e të rinjve te Skënderbeu”, legjenda Jani Kaçi: Skuadra ka nevojë për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2021 | 19:49

“Koha e të rinjve te Skënderbeu”, legjenda Jani Kaçi: Skuadra ka nevojë për…

Problemet e fundit në kampin korçar duket se kanë trazuar ujërat te Skënderbeu. Gjithçka u pasua me largimin e Julian Ahmatajt dhe emërimin provizor të Gentjan Liçit në krye të pankinës korçare, teksa sot “timoni” iu besua Migen Memellit. Përpos emrave të tjerë që ishin në listën e Takajt për momentin i është besuar ish-kapitenit dhe kjo ka marr aprovimin edhe të legjendës së portës korçare Jani Kaçit.

Jani

I kontaktuar nga “Panorama Sport” trajneri i U-19 të Skënderbeut thekson se kjo është zgjidhja e duhur dhe alternativa më e mirë e mundshme përpos emrave të tjerë. Ky mendim sipas Kaçit vjen për faktin se askush më mirë se Liçi nuk e njeh dhe nuk e do futbollin Korçar. Madje ai shkon më tej kur thotë se ekipi ka nevojë vetëm për motivim dhe ngritje të gjendjes psikologjike.

Profesor Kaçi emri juaj është lakuar si një alternativë për stolin. A do ta pranonit nëse ju ofrohej diçka e tillë?

Jo, dhe për këtë jam i vendosur. Nuk do e pranoja stolin e Skënderbeut, pasi unë e kam mbyllur me trajnimin në futbollin elitar profesionist. Prej shumë kohësh jam marrë me moshat, atje ku kemi arritur rezultate mjaft të mira. Për mendimin tim ka mjaft djem të rinj dhe mbi të gjitha korçarë, të cilët mund t’i dalin zot pankinës së Skënderbeut.

Pra, mendoni se Liçi është i duhuri?

Zgjedhje më të mirë nuk ka pasur dhe as ka për të pasur. Për mendimin tim presidenti ka bërë gjënë më të mirë që momentalisht ia ka besuar Liçit pankinën e Skënderbeut. Shpresoj që vendimi të mos jetë thjesht provizor, por edhe për vijimësinë. Liçi me pasionin e tij për futbollin, karakterin që ka, mund të rikthej besimin te Skënderbeu.

Pse jeni i këtij mendimi?

Këtë e them me bindje sikundër u thashë edhe më sipër, për vetë faktin se ky ekip nuk ka nevojë për ndryshime dhe presion të madh, por vetëm për rritje të dëshirës për të punuar dhe anës morale. Kjo besoj se te Liçi është një e dhënë e mirë që mund të rikthejë mentalitetin e lojës te lojtarët. Ana psikologjike në një ekip është shumë e rëndësishme dhe Skënderbeu e kish humbur qetësinë. Besoj se Liçi do t‘ia dalë më së miri.

Çfarë i duhet ekipit, tani që merkatoja është mbyllur?

Qetësi, dëshirë për të fituar dhe mbi të gjitha shpirt gare. Këto janë elementët që i kanë munguar Skënderbeut, pasi nuk kishte motivimin e duhur për të luajtur një ndeshje. Unë kam besim se elementët janë në atë ekip. Kështu që lojtarët duan vetëm qetësi dhe besim për të marrë rezultate pozitive.

Jani Kaci Skenderbeu

Mendoni se Skënderbeu ka cilësi si grup?

Patjetër që po. Po të shohim, Skënderbeu është një ekip i ri dhe me djem të rinj, që ka nevojë për shumë kohë të fitojë eksperiencën, por nuk është se nuk ka kualitet. Ata djem kanë mundur t’i shënojnë çdo ekipi dhe të shënosh 18 gola në më pak se dy faza nuk është gjë e pakët.

E përsëris, skuadra ka nevojë për më shumë besim në vete dhe të mos ketë presion. Presioni është armiku i këtij ekipi të ri. Djemtë nuk e kanë eksperiencën e duhur për të mbajtur presionet që vijnë nga faktorë të jashtëm. Duhet të jemi të gjithë bashkë dhe të japim mbështetjen për këtë ekip që të dalë nga kjo situatë.

Së fundmi, a mendoni se Skënderbeu shpëton në fund të sezonit, pavarësisht pozicionit ku ndodhet?

Pa dyshim që po, as e çoj në mend rënien e Skënderbeut. Por e përsëris, duhet ta ndihmojmë të gjithë të kalojë këtë periudhë të vështirë. Ekipi kërkon mbështetje, por ka shumë javë përpara që mund të bëjë kthesën. Janë ende shumë pikë në lojë dhe unë jam besimplotë që nuk e llogarisim qëndrimin në Superiore.

LLAZI SARO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"