“Koha e kthesës”, Dalipi do pikët e para në transfertë: Duhet durim, Lushnja ime po rritet dita-ditës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2023 | 10:31

“Koha e kthesës”, Dalipi do pikët e para në transfertë: Duhet durim, Lushnja ime po rritet dita-ditës

Lushnja është në kërkim të pikës së parë në transfertë. Fazën e parë e mbyllën “blozë” jashtë fushe, duke u mundur 0-2 nga Skënderbeu. Kanë provuar vetëm humbjen në 6 ndeshje dhe shpresojnë që kjo gjë të ndryshojë të dielën.

Klevis Dalipi

Udhëtojnë në Burrel, atje ku e pret një rivale direkt për luftën për mbijetesë. Janë të vetëdijshëm se do të jetë e vështirë, e megjithatë mendojnë se do ta thyejnë tersin. I këtij mendimi është edhe Klevis Dalipi, që pret një rezultat pozitiv në “Liri Ballabani”.

Trajneri kërkon që të gjithë të jenë pak të duruar me ekipin, pasi kthesa nuk do të vonojë.

“Mendoj që ndeshjet e Kupës tashmë i mori historia. Transferta me Burrelin do të jetë shumë e vështirë. E njoh atë fushë dhe nuk ta bën të lehtë. Vitet e fundit edhe ata luajnë futboll. Kam udhëtuar edhe me ekipe të tjera dhe kam luajtur ndaj tyre. Janë mikpritës, e duan futbollin. Luajnë bukur. Për pozitat që kemi, do të jetë një ndeshje e luftuar. Por gjithmonë në kuadrin e lojës ‘fair play’. Jemi të mirëpërgatitur. Vijmë pas një transferte me Skënderbeun. Le të themi një pjesë e parë shumë e mirë, por edhe lodhja bëri të vetën dhe nuk reaguam dot. Mendoj që javë pas jave jemi më të fortë. E di që njerëzit nuk kanë durim, sepse duhen pikët. Sikurse edhe unë dhe drejtuesit, por në të tilla rrethana jemi të detyruar të presim momentin tonë më të mirë. Duhet të kemi besim dhe të bëjmë më mirë sesa bëmë me Skënderbeun. Sigurisht, nëse loja jonë e mirë, rigoroze, taktike, shoqërohet edhe me rezultat pozitiv, është ideale për sa i përket pozitave tona në renditjen e tabelës”, përfundoi elbasanasi i stolit verdhejeshil.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"