Klubi po projekton rritje në buxhet dhe afrimin e një donator, Abazaj: Me një merkato cilësore në janar …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2019 | 17:07

Klubi po projekton rritje në buxhet dhe afrimin e një donator, Abazaj: Me një merkato cilësore në janar …

Pogradeci barazoi në Fushë-Krujë, e megjithatë dy pikët e lëna nuk e kanë cenuar kreun. Liqenorët komandojnë të vetëm Grupin B, ndonëse me një diferencë prej 1 pike me Lushnjën rivale. Misioni “Superiore” duket më pranë se kurrë, ndaj edhe drejtuesit më të lartë të klubit janë gati që të mos kursehen karshi ekipit. 

pogradeci

Mbështetja financiare nuk ka munguar deri në këtë pikë të kampionatit, megjithatë pritet që buxheti të pësojë një rritje në 2020- ën. Duke qenë se kalimi në Kategorinë Superiore kërkon më shumë fuqi ekonomike, është parë e udhës që të ketë më shumë para. Jo vetëm kaq, pasi po punohet edhe për të afruar donatorë. Dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, atëherë stafi teknik nuk do të limitohet në merkaton e janarit.

BARAZIMI

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Ardian Abazaj nuk e bën dramë barazimin e Ilirisë, e megjithatë nuk ngurron t’u kujtojë lojtarëve që e morën më lehtë se ç’duhet këtë transfertë. “E morëm pak lehtë këtë ndeshje, ua kisha bërë të qartë futbollistëve se do të ishte e vështirë. Përveç këtij fakti na ka penalizuar terreni i rënduar, dëmtimet dhe inferioriteti numerik. Na u desh të luanim me 10 lojtarë për një kohë të gjatë”, tha fillimisht tekniku.

Abazaj222

NGJITJA 

Ai beson te ngjitja, por saktëson se euforia duhet të zhduket nga Pogradeci. “Gjithmonë do të shikojmë vetëm takimin e radhës, nuk duhet të kemi shenja euforie. Nëse kjo ndodh, do të dëmtohemi vetëm ne, por me bindje them, jemi ekipi më i mirë dhe kjo vetëm falë punës sonë”, saktësoi 51-vjeçari.

DHURATA 

Fundi i 2019-ës e vendos ekipin përballë Orikumit, një skuadër që Abazaj e vlerëson. Trajneri do vetëm fitoren si “dhuratë” për festat e fundvitit. “Është një kundërshtar shumë i fortë. Pavarësisht se luajmë në fushën tonë, kjo nuk do të thotë se e kemi ndeshjen e fituar. Duhet të japim maksimumin e mundshëm dhe të luajmë me shpirt gare.

Dua të kujtoj se është ndeshja e fundit e vitit dhe le t’u bëjmë një dhuratë të gjithëve me rastin e festave. Garantojmë se do të jemi me këtë ritëm edhe në vazhdim”, shtoi ai.

Ardian Abazaj

MERKATO

Pogradeci po mendon për merkaton që tani. Edhe pse është herët, në klub kanë vendosur “piketat” e para. Emra konkretë nuk ka, megjithatë trajneri saktëson se pret dy ose tre futbollistë cilësorë në janar. “Merkatoja është e domosdoshme. Vërtet kemi një ekip cilësor, por me 2-3 afrime më shumë do të shtohej cilësia dhe garantohej vazhdimësia.

Mund ta them me bindje që tani se nëse gjejmë elementët e duhur në janar, atëherë Pogradeci do të ishte i barabartë me çdo ekip të Kategorisë Superiore. Gjithsesi, le të presim edhe pak për të dhënë një vendim përfundimtar në këtë drejtim”, përfundoi Abazaj.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"