Klubi i Superiores mendon për fushën, kryhet mbjellja e barit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2022 | 14:27

Klubi i Superiores mendon për fushën, kryhet mbjellja e barit

Në Ballsh skuadra po përgatitet dhe nesër në mesditë luan sfidën e parë miqësore me ekipin e Flamurtarit në Vlorë.

adush muca

Mallakastriotët e kanë shfrytëzuar këtë periudhë edhe në aspektin e mirëmbajtjes së stadiumit “Adush Muçaj”, teksa pak ditë më parë është bërë edhe mbjellja e barit në fushën e impiantit mallakastriot.

Pas konsultimit me specialistë vendës dhe të huaj drejtuesit kanë marrë këtë vendim. Tashmë terreni është në kushte të shkëlqyera, sepse mbjellja ka nisur të japë frytet e veta.

Fusha është në gjendje të shkëlqyer dhe jo vetëm, pasi gjatë kësaj periudhe skuadra është stërvitur në aneksin në qendër të qytetit në kompleksin “Bylis”.

Ajo që vlen të theksohet është fakti se drejtuesit në vitet e fundit i kanë kushtuar një vëmendje të madhe infrastrukturës dhe terreneve dhe kjo ka filluar të japë frytet e veta.

Kjo duket në afrimin e shumë lojtarëve të rinj, madje edhe vendës, sepse Bylisi tashmë për herë të parë në histori ka ngritur edhe ekipin e femrave, që do të garojë në kampionatin e U16, pa thënë që moshat janë me strukturë të ngritur nga U-9 e deri te U-21, ku pjesë e organikës janë edhe trajnerët vendas Kliton Aliaj, Arvid Bregasi dhe Arben Ahmetaj. Kjo natyrisht që ka dhënë edhe frytet e veta, sidomos në nxjerrjen e disa lojtarëve të talentuar, që janë afruar në skuadrën e parë duke filluar që nga portierët Renato Beqaj e Redi Jahaj, të dy pjesë e kombëtareve të moshave, i pari me U-19, ndërsa i dyti me U-15 dhe U-16.

Por edhe Krenar Skënderaj, që luajti si titullar ndaj Partizanit dhe është kandidat për Kombëtaren U-21 pasi ka luajtur me U-19. Eldinjo Alimerkaj është gjithashtu prodhim “bio”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"