Klubi i Kategorisë së Parë synon Superioren, por s’ka… fushë stërvitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2020 | 23:06

Klubi i Kategorisë së Parë synon Superioren, por s’ka… fushë stërvitore

Në Berat është mirëpritur investimi serioz që po bëhet në ekipin e futbollit. Pritet që Tomori të rreshtohet mes skuadrave pretendente për ngjitjen në Superiore gjatë sezonit të ri. Por vëmendja është drejtuar te premtimi i kahershëm për ndryshimin e infrastrukturës sportive në këtë qytet.

Tomori

Në Berat mungon një fushë stërvitore për skuadrën, që në rastin më të mirë të mundshëm do të shërbente si një alternativë e fushës së stadiumit, ku zhvillohen ndeshjet zyrtare. Fusha stërvitore është një domosdoshmëri për Tomorin, por për të askush nuk kujtohet të flasë në këto momente, ku e gjithë vëmendja është te merkatoja.

Heshtja mbizotëron në bashkinë e qytetit, që duhet të mbështesë me fonde, por edhe në klubin beratas. Është një problem shumë serioz, që gjatë kampionatit do të ndihet shumë dhe për zgjidhjen e tij duhet vepruar që tani.

MIQËSORJA – Drejtuesit e Tomorit duan të zhvillojnë miqësoren e katërt në fundjavë. Ata po kërkojnë një kundërshtar serioz, që me shumë mundësi do të jetë Bylisi i Superiores. Kontaktet kanë nisur mes drejtuesve dhe pritet që të shtunën në stadiumin “Adush Muça” dy ekipet të jenë përballë njëra-tjetrës.

“Ndeshjet miqësore janë një domosdoshmëri për skuadrat në këtë periudhë dhe besoj se do na vlejë jashtëzakonisht për të parë punën e bërë deri tani. Mund të ndeshemi me një kundërshtar të fortë si Bylisi, vlerat e të cilit dihen”, ka thënë për gazetën tekniku i beratasve, Bledar Sinella.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"