Klubi i Kategorisë së Parë në “ajër”, lojtarët vendosin një javë… afat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2021 | 10:12

Klubi i Kategorisë së Parë në “ajër”, lojtarët vendosin një javë… afat

Tomori është në “ajër”. Pa trajner dhe lojtarë. Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga mbyllja e kampionatit, në klub nuk e kanë të qartë se kush do ta drejtojë ekipin nga stoli dhe mbi të gjitha cila do të jetë organika.

kastrioti tomori

Futbollistëve që luajtën vjet u kanë skaduar kontratat sezonale dhe logjikisht presin rinovim ose minimalisht negociata (pasi akordi varet nga oferta).

Kur dihet që pjesa dërrmuese e ekipeve të Kategorisë së Parë po lëvizin në merkato, frika për të mbetur “thatë” i detyron që të mos presin më. Lojtarët do të durojnë edhe një javë, jo më shumë. Ky është qëndrimi që do të mbajnë shumica e futbollistëve të cilët mbyllën sezonin në radhët e Tomorit.

E gjitha kjo është diktuar jo vetëm nga zvarritjet për riorganizimin e skuadrës, por për faktin se në drejtim të tyre janë duke ardhur oferta nga skuadra të tjera. Dhe me të drejtë, ata janë duke kërkuar më shumë informacion për të ardhmen e Tomorit. Mungesa e gjatë e emërimit të teknikut ka bërë të lindin dyshime në lidhje me projektin aq shumë të përfolur për rikthimin e skuadrës në nivelin e skuadrës pretendente.

Ndërsa vonesat, sipas disa titullarëve të ekipit gjatë sezonit të kaluar, po çojnë drejt largimit të mundshëm të një pjese prej tyre. Ata shprehen madje se janë futbollistë të lirë, por që për shkak të respektit për skuadrën dhe tifozërinë, do të presin jo më shumë sesa një javë për të vendosur përfundimisht nëse do të jenë sërish pjesë e Tomorit apo e ndonjë tjetër skuadre.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"