Klubi i Kategorisë së Parë me “dorë të hekurt”, trajneri pezullon sulmuesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2022 | 14:29

Klubi i Kategorisë së Parë me “dorë të hekurt”, trajneri pezullon sulmuesin

Pogradeci u ka dhënë dje fund përgatitjeve stërvitore para ndeshjes me Butrintin, takim i cili luhet të shtunën në shtëpi. Trajneri Ardian Abazaj ka vendosur që të lërë sot pushim skuadrën pasi edhe temperaturat mendohet të jenë shumë të ulëta.

abazaj

Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Abazaj shpjegon arsyen pse e la ekipin pushim një ditë para ndeshjes me Butrintin. Më tej tekniku për gazetën pohon se ka larguar nga stërvitja sulmuesin Alillari, ku shkak u bë thyerja e disiplinës. Në fund ai ka folur edhe për merkaton dhe gatishmërinë e prurjeve të reja për startin e fazës së dytë.

“Sot (dje) i dhamë fund procesit stërvitor dhe për të premten kam vendosur që ta lë skuadrën pushim. Këtë vendim e mora në mënyrë që lojtarët të jenë sa më të çlodhur për ndeshjen e radhës, por edhe për shkak të temperaturave të ulëta.

Ju bëj me dije se sot (dje) kam larguar nga seanca stërvitore sulmuesin Alillari për shkak të thyerjes së disiplinës dhe në ndeshjen kundër Butrintit nuk do të jetë pjesë e skuadrës.

Nga afrimet e dimrit do të kem vetëm 4 lojtarë në dispozicion, pasi kartonët e federimit të mbrojtësit Dervishaj dhe sulmuesit brazilian Vieira Kosta nuk kanë ardhur akoma.

Kështu që këto dy afrime nuk do t’i kem të gatshëm për ndeshjen e së shtunës”, u shpreh trajneri i Pogradecit.

Pogradeci ka qenë aktiv në këtë merkato, proces i cili mbetet ende i hapur, kryesisht për ndonjë element cilësor.

Pjesë e përforcimeve janë edhe rikthimet e disa ishëve me moshë të re, të cilët ekipin e vendlindjes se shikojnë si trampolinë për të hedhur një hap më të madh në karrierën e tyre.

Marin Abazaj, Arbri Pengu, Ergi Brahja, Alsejni Dervishaj, Vieira Kosta dhe Endri Reçi janë afrimet që ka kryer deri tani Pogradeci. Ndërsa të larguarit në merkaton e dimrit janë: Ildian Shyti, Klevis Hasanbelli, Mario Muçllari, Jurgersi Drizaj.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"