Klubi i Kategorisë së Parë i karikuar, kërkon elitën me çdo kusht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2020 | 22:41

Klubi i Kategorisë së Parë i karikuar, kërkon elitën me çdo kusht

Federata Shqiptare e Futbollit ka caktuar javën e parë të qershorit për vazhdimin e kampionateve në të gjitha nivelet aty ku u ndërpre më shumë se dy muaj më parë për shkak të Koronavirusit. Pas këtij vendimi, të gjitha klubet kanë nisur përgatitjet për t’i pasur ambientet në gatishmëri, siç e kërkon rregullorja e re. Lezha është shpallur zonë e gjelbër, por vetëm futbollistët nga ky qytet mund të stërviten rregullisht në stadiumin “Besëlidhja”.

Beselidhja-Partizani Kupa

Në fakt, ata janë fare pak, sepse pjesa më e madhe, përfshirë edhe trajnerin, janë nga Shkodra, Tirana, Kamza, Laçi etj., që ende janë zona të kuqe dhe nuk lejohet lëvizja. Te Besëlidhja situata duket pak konfuze për mënyrën e organizimit të stërvitjes, megjithatë klubi po mundohet të marrë masat përkatëse.

Stadiumi “Besëlidhja” pothuajse është i gatshëm që të presë futbollistët për të nisur sa më parë stërvitjen për t’u karikuar sa të munden për pjesën e mbetur të sezonit. Është për t’u zhvilluar gjithë faza e tretë, ndeshjet shtesë dhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, ku Besëlidhja është mes 8 skuadrave çerekfinaliste dhe do të ketë më shumë ndeshje se rivalët.

Beselidhja

Besëlidhja fazën e dytë e mbylli në vend të dytë, 9 pikë larg kreut që mbahet nga Kastrioti, por sipas drejtuesve të Besëlidhjes, si nga presidenti, ashtu edhe nga stafi teknik dhe më kryesorja nga vetë futbollistët, ende ka shpresa për kapjen e kreut.

Po ashtu, ngjitja në Superiore mund të arrihet edhe me ndeshjet shtesë, ndaj lezhjanët e kanë kërkuar medoemos vijimin deri në fund të sezonit. Kujtojmë se Besëlidhja po mbyll sezonin e 12- të radhazi në nivelin inferior të futbollit tonë, një rekord “i zi” në historinë e saj 90-vjeçare si pjesëmarrëse në kompeticionet e futbollit tonë, ku 24 sezone i ka zhvilluar në nivelin elitar.

Preng GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"