Klubi i Kategorisë së Parë godet në merkato, rikthen mbrojtësin 31-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2021 | 21:06

Klubi i Kategorisë së Parë godet në merkato, rikthen mbrojtësin 31-vjeçar

Godet Tomori, merr Ervis Çaçon. Mbrojtësi kthehet në shtëpi pas më shumë se dy vitesh. Beratasit kanë bërë një lëvizje shumë të zgjuar në merkato, duke blinduar njëherë e mirë krahët. Ai vjen nga Korabi që pretendon ngjitjen në Grupin A dhe mbi të gjitha si titullar i padiskutueshëm.

Ervis Caco Tomori

Çaço është afrimi numër 3 për prapavijën, pasi më herët kanë ardhur Marku dhe Isufi për qendrën. Gjatë seancës së djeshme, 31-vjeçari është prezantuar përpara skuadrës nga stafi teknik. Një procedurë formale, pasi është një njohje shumë e vjetër dhe me një kontribut për më shumë se 7 sezone. Ai është aktivizuar më parë edhe me skuadra të njohura si Besa dhe Luftëtari, duke spikatur jo vetëm si një mbrojtës krahu, por edhe si një shënues golash.

Kjo, falë aftësive shpërthyese në lojën nga krahët, ndërsa në rininë e tij të hershme është dalluar si një mesfushor i djathtë. Sakaq, Tomori programon miqësoren e radhës. Këtë herë do të përballen me Drenicën, në kompleksin “Tropikal”. Ky test do t’u vlejë beratasve më së shumti për të parë në aksion përforcimet e fundit nga merkatoja dimërore. Me këto goditje, Tomori ka fituar më shumë cilësi dhe siguri, mbi të gjitha ka përforcuar dukshëm repartin e prapavijës, aty ku në fazën e parë skuadra pësonte gola foshnjarakë.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"