Klubi i Kategorisë së Parë godet në merkato, rikthen dy ish-kapitenët shkodranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2022 | 15:31

Klubi i Kategorisë së Parë godet në merkato, rikthen dy ish-kapitenët shkodranë

Besëlidhja ka bërë goditjen e madhe në merkaton e kësaj vere duke rikthyer dy ish-senatorët e saj. Bëhet fjalë për dy shkodranët, mbrojtësin Kledi Dibra dhe mesfushorin Samet Hepaj. Të dy lojtarët, pas një karriere të gjatë me fanellën e Besëlidhjes, në sezonin e fundit kontribuuan për Burrelin.

beselidhja

Mbrojtësi shkodran, Kledi Dibra, ka shërbyer 10 vjet radhazi si qendërmbrojtës i Besëlidhjes, duke mbajtur për shumë sezone edhe shiritin e kapitenit. Mesfushori shkodran, Samet Hepaj, ka një karrierë prej gjashtë sezonesh radhazi me skuadrën lezhjane, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Të shtunën e kaluar dy ish-lojtarët e Besëlidhjes, pas bisedimesh të gjata, arritën akordin me presidentin Gjok Noka dhe hodhën firmën në kontratë. Këtë e bëri të ditur për “Panorama Sport” vetë mbrojtësi shkodran, Kledi Dibra.

“Pas dhjetë vitesh radhazi, në verën e shkuar u ndava nga Besëlidhja duke veshur fanellën e Burrelit. Merkatot e bëjnë punën e tyre, por zemra ime ka rrahur gjithmonë lezhjançe, ndaj edhe nuk e pata fare të vështirë për t’u rikthyer në shtëpinë e vjetër. Karrierën time si futbollist profesionist deri tani pothuajse e kam këtu në Lezhë. Kam milituar me fanellën e Besëlidhjes 19 vjeç dhe jam larguar nga këtu 29 vjeç, për t’u rikthyer përsëri pas një sezoni që e mbylla te Burreli. Me Besëlidhjën i kam kaluar thuajse të gjitha emocionet e një futbollisti, si ato pozitivet, ashtu edhe ato negativet, ndaj edhe jam mjaft i lumtur që u riktheva këtu. Kam shumë besim se Besëlidhja e këtij sezoni do të jetë ekipi pretendent për ngjitje, pavarësisht se grupi i ekipeve është me histori elitare dhe rregullat shumë të rrepta”, u shpreh Dibra për “Panorama Sport”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"