Klubi i Kategorisë së Parë do miqësore me Partizanin, gati 2000 tifozë në stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2020 | 15:35

Klubi i Kategorisë së Parë do miqësore me Partizanin, gati 2000 tifozë në stadium

Për shkak të motit me reshje shiu në Berat, stafi teknik i Tomorit ka vendosur që stërvitja të kryhet në një fushë minifutbolli. Për këtë arsye, futbollistët i janë drejtuar periferisë së qytetit gjatë pasdites për t’u stërvitur në një fushë të mbuluar. Drejtuesit e Tomorit janë në kërkim të një kundërshtari me emër për një miqësore në fundjavë.

Tomori ndeshje

Dëshira e madhe është që të luajnë me Partizanin, jo vetëm për emrin e skuadrës kryeqytetase, por edhe sepse nëpërmjet ballafaqimit me një kundërshtar të nivelit të lartë, ata do të kuptonin më mirë se ku janë me përgatitjet e deritanishme. Nuk ka ende një akord për momentin, por përpjekjet po bëhen. Donatori Gramoz Toto, gjatë një bisede që ka zhvilluar me kryebashkiakun Ervin Demo në ambientet e stadiumit, midis të tjerash i ka thënë:

Tomori-Partizani

“Nëse e realizojmë një miqësore me Partizanin apo edhe me Tiranën në Berat, është e sigurt se do të kemi 2000 tifozë në stadium”. Nuk përjashtohet mundësia që një miqësore e tillë të zhvillohet edhe në kryeqytet gjatë kësaj fundjave. Në Berat të gjithë tifozët po presin me shumë interes një miqësore me Partizanin në fushën e tyre, aq më shumë që në radhët e të kuqve luan edhe ish-kapiteni i Tomorit, Enea Bitri.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"