Klubi i Kategorisë së Parë bën 90 vjeç, synohet ngjitja në elitë për ditëlindje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2020 | 23:31

Klubi i Kategorisë së Parë bën 90 vjeç, synohet ngjitja në elitë për ditëlindje

Për Besëlidhjen, 17 nëntori ka qenë ditë feste. Zyrtarisht dje kanë mbushur plot 90 vjet. Është pikërisht kjo dita e regjistrimit në FSHF dhe emrin e parë e kanë pasur “Bardhyl”. Ishte viti 1930 kur skuadra do të merrte pjesë në të gjitha kompeticionet futbollistike në vend.

Beselidhja-goli

Në qershorin e atij viti, qeveria mbretërore e asaj kohe urdhëroi ngritjen e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe krijimin e një ekip futbolli në çdo qytet ku mungonte një i tillë. Po atë vit nisi kampionati i parë kombëtar. Të parin takim zyrtar Besëlidhja e ka zhvilluar në Durrës ndaj Teutës, ndeshje që ka përfunduar me fitoren e kësaj të fundit me shifrat 7-1.

Sipas shtypit sportiv të asaj kohe, Bardhylin e kanë ndjekur shumë tifozë. Ata kishin udhëtuar me automjete, biçikleta, madje edhe në këmbë nga Lezha për të mos e humbur atë përballje. Në 90 vjet jetë, Besëlidhja ka milituar 25 sezone në Kategorinë Superiore, megjithatë u bë më shumë se një dekadë që i mungon kësaj lige.

Për herë të fundit merrnin pjesë në elitë në sezonin 2007-2008 dhe që nga ajo kohë lufton për t’u rikthyer dhe shpresojnë që për ditëlindjen e 90-të t’ia dalin. Besëlidhja është shpallur 8 herë kampione e Kategorisë së Parë, fillimisht në vitin 1937 dhe gjatë historinë e saj, ka rënë dy herë në Kategorinë e Dytë, konkretisht në edicionet 1960-1961 dhe 2013-2014.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"