Klubi harron Sinanin, ish-sulmuesi drejt largimit nga Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 17:48

Klubi harron Sinanin, ish-sulmuesi drejt largimit nga Vllaznia

Nga zv.trajner në drejtor sportiv dhe më pas i harruar nga klubi. Ajo që ka ndodhur së fundmi me legjendën e futbollit shkodran, Vioresin Sinani, duket në kufijtë e të pabesueshmes.VIORESIN SINANI 1

Ish-sulmuesi është aneksuar totalisht nga presidenca dhe pas emërimit të Elvis Plorit si drejtor sportiv në vend të Sinanit, zyrtarisht nuk ka pasur asnjë njoftim nga klubi se çfarë do të ndodhë me golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në kampionatin shqiptar.

“Panorama Sport” mëson se gjasat më të mëdha janë që Sinani të mos jetë më pjesë e klubit në vijim. Kalimi në postin e drejtorit sportiv për pak kohë krijoi bindjen se Vllaznia e sezonit të ri do të niste pikërisht nga duart e ish-bomberit, por caktimi i Plorit si drejtor dhe për më tepër përzgjedhja e Migen Memellit si trajner dhe Ndriçim Shtubinës si zv.trajner, ka aneksuar Sinanin.

Në klub përflitet se ish-sulmuesit mund t’i ofrohet ndonjë post tjetër në drejtim të skuadrave zinxhirë të akademisë ose Vllaznisë U-21. Por, mbetet për t’u parë nëse Sinani do të miratojë këtë herë propozimin e mundshëm të klubit.

Në Shkodër shumë specialistë kanë pritur që legjendës së sulmit t’i jepej përgjegjësi e madhe, duke qenë pikërisht ai trajner i Vllaznisë, por drejtuesit menduan ndryshe.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"