BASKET/ Klubi del me komunikatë zyrtare, Vllaznia bëhet me trajner amerikan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2021 | 18:03

BASKET/ Klubi del me komunikatë zyrtare, Vllaznia bëhet me trajner amerikan

Vllaznia e basketbollit të meshkujve me sa duket do ta vijojë edhe këtë sezon “traditën amerikane”, teksa ditën e djeshme ka zyrtarizuar trajnerin e ri, i cili vjen nga SHBA-ja. Ai është Methju Xhons, trajner që një sezon më parë ka drejtuar në Izrael. Lajmin e ka dhënë vetë klubi shkodran me anë të një postimi në rrjetet sociale, në të cilin njofton se trajneri do të mbërrijë sot në Shqipëri.

152056588_1079721665847795_1818399201340026193_o

Ja njoftimi i plotë i skuadrës kuqeblu: “Klubi i Basketbollit Vllaznia informon se në kushte tejet të vështira, të ndikuara nga efektet e pandemisë globale, me objektivin për të qenë konkurrente, kemi konfirmuar pjesëmarrjen në Superligën Shqiptare të Basketbollit 2020-2021, e cila pritet të fillojë më datë 27 shkurt 2021 dhe të përfundojë brenda datës 30 qershor 2021. Pas shqyrtimit të disa alternativave, për stolin kuqeblu është vendosur që ekipi të drejtohet nga amerikani Methju Xhons, i cili vjen nga eksperienca të mëparshme në drejtimin e Makabi Ashdod, fitues i kampionatit izraelit 2019-2020.

Gjatë viteve 2018- 2020 ka punuar në zbulimin dhe vlerësimin e talenteve në NBA. Në vitet 2016-2017 ka marrë pjesë në turneun “Adidas”, duke drejtuar një ekip të përfaqësuar me lojtarë amerikanë, po ashtu eksperiencat e tij vijojnë edhe me drejtimin e ekipeve amerikane në kompeticionet NCAAD1 dhe NCAAD2. Xhons pritet të mbërrijë më datë 19 shkurt pasdite në Shkodër për t’u vënë menjëherë në drejtimin e ekipit në përmbushje të objektivit për fitimin e titullit kampion”, shkruhet në faqen e Vllaznisë së basketbollit në “Facebook”.

K

Methju do të marrë vendin e Afrim Bilalit, ndërsa në ambientet e koshit në Shkodër mësohet se pas trajnerit, pritet të zbarkojë një tjetër “koloni” me lojtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu, drejtuesit e Vllaznisë futen me objektiva të qarta për sezonin e ri, teksa do të kërkojnë fitimin e titullit të dhjetë në kampioniat, me sponsorin Alban Xhaferi që vijon ta mbështesë fuqishëm ekipin edhe në edicionin e ri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"