Klubi belg do Abazajn, reagon Kukësi: Me ne deri në fund…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2020 | 13:27

Klubi belg do Abazajn, reagon Kukësi: Me ne deri në fund…

Kukësi rrezikon të humbasë një nga futbollistët më të mirë të gjysmës së parë të sezonit. Bëhet fjalë për Kristal Abazajn, i cili luan si sulmues krahu te skuadra verilindore. Dihet që Abazaj është në pronësi të gjigantit belg, Anderleht, që ka vendosur ta nxjerrë në shitje lojtarin. 

ABAZAJ

Duke mos pasur hapësira për shqiptarin, belgët e kanë huazuar te Kukësi. Në sezonin e kaluar Abazaj luajti si i huazuar me Osijek në Kroaci, ndërsa këtë kampionat si pjesë e verilindorëve ka shfaqur një formë të mirë. Mirëpo së fundmi për shërbimet e 23-vjeçarit ka shfaqur interes edhe klubi belg i Eupenit, i cili i ka kërkuar Anderlehtit huazimin e 23-vjeçarit për pjesën e mbetur të sezonit. Lajmi bëhet i ditur nga media belge, “voetballbelgie.be”, ndërkohë që gjasat janë të mëdha që Abazaj të rikthehet në kampionatin belg, për të treguar vlerat e tij. Eupen është pjesë e elitës së futbollit belg, teksa momentalisht ndodhet në vendin e 13-të.

kristal abazaj

REAGIMI

Te Kukësi shfaqen të qetë për zhvillimet e fundit. “Panorama Sport” ka kërkuar dje një sqarim zyrtar për çështjen “Abazaj” dhe sipas klubit kuksian, kontrata për huazimin e sulmuesit është jo vetëm për një sezon, por më tepër, pikërisht derisa Kukësi të përfundojë aventurën në Kupat e Europës. Sipas drejtuesve, çdo gjë është në rregull me Abazajn, i cili është i kënaqur me trajtimin dhe progresin që po bën te Kukësi. Madje ata shkojnë edhe më tej, duke sqaruar se nëse Abazaj shitet që në janar nga Anderleht, sulmuesi do të zbatojë kontratën e huazimit me Kukësin. Mirëpo, gjithmonë nëse ekziston dëshira, pasi në kontratën e tij ka një klauzolë, që Anderlehti edhe pse e ka dhënë borxh për një sezon, mund ta marrë mbrapa nëse do e dojë ta aktivizojë vetë. Sakaq, Kukësi i paguan 8 mijë nga 20 mijë euro që e ka rrogën mujore lojtari 23- vjeçar. Kujtojmë se Abazaj ka shënuar 4 gola në 15 takime të luajtura me Kukësin deri më tani në Superiore.

kukesii

MERKATO

Kukësi është shquar në Superiore për hyrje-daljet e shpeshta në merkato, por me Shpëtim Duron në krye të stolit kjo metodë është e mbyllur. Trajneri është i kënaqur me organikën që ka në dispozicion dhe nuk ka lejuar largime të tepruara. Daku, Kamara dhe Kitanovski janë të vetmit, ndërsa drejtuesit po studiojnë alternativa për të zëvendësuar sulmuesin kosovar. Ndërsa çështja e mbrojtjes është zgjidhur për shkak se është federuar për gjysmën e dytë të sezonit Gëzim Krasniqi, i cili konsiderohet një “blerje”.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"