Miroslav Klose: Do shënoj edhe tre gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2014 | 16:07

Miroslav Klose: Do shënoj edhe tre gola

KloseMiroslav Klose në moshën 36 vjeç dhe 12 ditë shënoi golin e 15-të në Botëror, duke barazuar rekordin e Ronaldos, por njëkohësisht duke qenë edhe golashënuesi gjerman më i vjetër në moshë gjatë një Botërori. Në Botërorin 2002, ai shënoi 5 gola; në 2006-n sërish 5; në 2010-n shënoi 4 dhe në 2014-n, në ndeshjen e parë, shënoi 1 ku i kanë mbetur edhe 5 ndeshje Botërori. Gjatë një interviste për sajtin e federatës gjermane, Klose flet për ndeshjen ndaj Ganës, rekordin, Mylerin dhe të ardhmen e tij.
Klose, barazuat Ronaldon me 15 gola në botëror. Ç’vlerë ka për ju ky rekord?
Kush më njeh, e ka mësuar që më e rëndësishme për mua ka qenë pjesëmarrja në Botërorin tim të 4-t. Kalova një sezon të vështirë dhe luftova shumë për të arritur këtë sukses. Ky rekord është një dëshmi e punës sime. 15 gola në 20 ndeshje nuk është keq. Por, më i rëndësishëm se golat e mi, është skuadra. Jam këtu për të ndihmuar atë.
Jeni i kënaqur me një gol? Sa do dëshironit ta çonit shifrën në Brazil?
Jo. Qëllimi im është të mbaj i vetëm atë rekord. Jam sulmues dhe ne duam të shënojmë sa më shumë gola. E di që ka shumë sulmues të talentuar. Por e di shumë mirë se ç’formë duhet të kesh nëse luan në botëror. Vërtet nuk jam ende në formën time më të mirë, por këtë gjë ma lehtëson edhe kualiteti i skuadrës sime. Para çdo evenimenti, sulmuesi i vënë një qëllim vetes. Para Botërorit i vura qëllim vetes të shënoja të paktën tre. Por, teksa shënova direkt në ndeshjen e parë, nuk do isha kundër nëse do shënoja më shumë se tre.
Doni ta mbani sa më gjatë këtë rekord. Mendoni se një ditë do ta thyejë Tomas Myler, i cili në botërorin e dytë personal deri tani ka 8 gola?
Absolutisht. Kush e njeh Tomas Mylerin, është i bindur që do ia dalë. Ai të bind, por ka nevojë edhe për fat. Duhet të jetë në formë për të arritur atje ku do. Duke parë kualitetin dhe forcën e tij, kam besim se do shkëlqejë dhe do shkruajë historinë ashtu si unë.
Mund të na përshkruani si e shënuat golin tuaj të 15-të?
Sapo u futa, morëm goditje këndi. Mendova të futesha në zonë, por mendja më tha të pozicionohesha në shtyllën e dytë. Ky instinkt shënoi gol. Zgjata këmbën pas devijimit të topit dhe shënova një gol tipik sulmuesi. Unë e nuhata se ku mund të shkonte topi dhe mora pozicionin prapa mbrojtësit.
Më pas festuat me salto pas një kohe të gjatë. E kishit planifikuar apo ju erdhi spontanisht?
E bëra krejt spontanisht. Nuk e di pse zgjodha salton. U pa qartë që isha komplet i papërgatitur për ta bërë siç duhet këtë kërcim.
Si ka mundësi që shënoni kaq shumë në Botërore?
Jam një lojtar grupi dhe golat vijnë falë bashkëpunimit me kolegët. Shumë gola mund t’i kem shënuar ngaqë kam marrë asiste goli dhe krosime të sakta. Nuk mjafton vetëm instinkti “vrasës”. Si sulmues, je i varur nga kualiteti i lojtarëve dhe për fat të mirë në kombëtare ka qenë i shkëlqyer.
Në këtë Botëror janë shënuar shumë gola. I keni vënë qëllim vetes të shpalleni lojtari i turneut?
Pse jo. Janë shënuar shumë gola nga “xholat”. Për mbrojtësit është presion shumë i madh sidomos në 20- 30 minutat e fundit kur futet në lojë një sulmues i freskët.
A jeni i sigurt se ky do jetë Botërori juaj i fundit?
Me siguri. Ky Botëror funksionoi për mua, por 2018-a është çështje e mbyllur. Prandaj, qëllimi ynë është të arrijmë deri në fund dhe të kthehemi kampion duke u ndjekur pak edhe nga fati.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"