Klop, presion Ronaldos: Je më i fortë se Salahu!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2018 | 21:40

Klop, presion Ronaldos: Je më i fortë se Salahu!

Kristiano Ronaldo i drejtohet finales së radhës së Champions-it i frymëzuar nga një rekord personal, i cili 3 vite më parë i tingëllonte si ëndërr: ai dëshiron të dalë në pension si lojtari me numrin më të madh të Champions-eve të fituara. Njerëzit pranë portugezit thonë se rekordi i paarritshëm i Pako Hentos (6 kupa kampionesh) është një nga temat e diskutuara nga ylli i Realit këto dy javët e fundit.

Pavarësisht se doli duke çaluar nga barazimi në klasiken e “Camp Nou”-t dy javë më parë, 33-vjeçari nuk e ka vënë kurrë në dyshim pjesëmarrjen e tij në finalen e së shtunës së ardhshme dhe nuk e ka fshehur as dëshirën e tij për të barazuar rekordin e Gentos, i cili luajti për skuadrën përrallore të Realit që fitoi 5 Kupa Kampionesh radhazi nga 1956-ta dhe një tjetër në 1966. Kristiano ka fituar 4 Champions. Një triumf në Kiev do ta dërgonte atë përpara Lionel Mesit dhe barazonte rekordin e Alfredo Di Stefanos dhe Paolo Maldinit.

ronaldo salah

Nëna e tij, Dolores Aveiro, thotë se djali i saj nuk është një makineri, por ai do të luajë futboll edhe për 3-4 vitet e ardhshme. Por, edhe menaxheri Zhorge Mendez këmbëngul se klienti më i famshëm i tij do të qëndrojë në këtë profesion deri në fund të të tridhjetave. Kur vetë Kristiano rinovoi për herë të fundit, ai deklaroi se kjo ishte kontrata e parafundit dhe se ai do të luante deri në moshën 39-vjeçare. CR7 dëshiron të kujtohet në histori si më i miri dhe palmaresi i tij do ta ndihmojë në këtë objektiv. Reali mund të fitojë 4 finale në 5 vitet e fundit të shtunën. Ata do të barazonin në këtë mënyrë edhe Ajaksin dhe Bajernin e Mynihut, të vetmet klube të tjera që kanë fituar tre finale radhazi.

PENGESA SALAH – Por për t’i realizuar këto ëndrra duhet të mposhtë në Kiev një nga rivalët më në formë që do të ketë përballë: Mohamed Salahun. Sulmuesi i Liverpulit është votuar si futbollisti i sezonit në Angli, pasi ka shënuar 44 gola në sezonin e tij të debutimit në “Anfield Road”. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka realizuar vetëm një më pak. “T’i kisha që të dy në skuadër, nuk do të ishte keq.

Por, unë nuk do ta këmbeja Salahun me Ronaldon”, thotë Klop. “Ata kanë të dy cilësi, nuk ka të bëjë se kush është individualisht më i mirë. Ajo që ka rëndësi është të luash futboll më të mirë. Dhe që kjo të ndodhë ke nevojë edhe për të gjithë lojtarët e tjerë”. Nëse Liverpuli e mposht Realin, 25- vjeçari do të jetë një kandidat i fortë për t’i dhënë fund dominimit Ronaldo-Mesi për çmimin e “Topit të Artë”. Futbollisti i fundit që ka hyrë mes tyre është Kaka në vitin 2007. Pikëpyetja e madhe është nëse egjiptiani do të vazhdojë ta ruajë këtë formë edhe në sezonet e ardhshme.

“Mo ka luajtur një sezon fantastik, por Ronaldo ka luajtur 15 sezone si ky. Ai ka shënuar 47 mijë gola (përdor qëllimisht një hiperbolë), shifra të çmendura”, shton trajneri i Liverpulit gjatë një interviste për faqen e klubit. “Përse duhet t’i krahasojmë? Në kohën e Pelesë askush nuk e krahasonte Pelenë me lojtarët e tjerë dhe pyeste nëse ‘ai është po aq i mirë sa ai?’ Tani ne kemi Mesin dhe Ronaldon. Ata kanë dominuar futbollin këto vitet e fundit kur ka shumë futbollistë të tjerë të mirë. Mesi dhe Ronaldo janë në momentin final, shumë shpesh në vendin e duhur për të shënuar një gol dhe kjo është gjëja më e vështirë në botë për të bërë. Prandaj janë këtu ku janë. ‘Topi i Artë’ është ndarë gjithnjë mes tyre dhe me meritë. Kur ata të lënë futbollin, ne do na mungojnë 100% për qind”.

FINALJA – “Thjesht të takohem me Zidanin do jetë fantastike. E kam admiruar si lojtar dhe e respektoj si shok. Por, ne nuk do shkojmë në Kiev për të shkëmbyer fanellat. Nëse fitojmë s’më intereson se si do luajmë. Fitorja është fitore”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"