Klop cilëson Sitin si ekipin më të fortë: Dua ta mund Guardiolën sa më shpesh që të jetë e mundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2018 | 12:34

Klop cilëson Sitin si ekipin më të fortë: Dua ta mund Guardiolën sa më shpesh që të jetë e mundur

Jyrgen Klop preferon të jetë i dyti për të ndierë adrenalinën e mposhtjes së të parit. Pak a shumë, siç e tha në konferencën e parë për shtyp përpara ndeshjes me Uest Hemin (“ne jemi si Roki Balboa, Siti është si Ivan Drago). Në fakt, rrugëtimi i trajnerit gjerman prej Maincit e deri në “Anfield” ka qenë i tillë. Në një intervistë për “France Football”, ai thotë se mentaliteti i tij nuk do të ndryshojë, pavarësisht se të kuqtë kanë shpenzuar 250 milionë paund në merkato gjatë këtij viti.

klop guardiola

51- vjeçari nuk e pranon se pas këtij makijazhi, Liverpuli është barazuar në nivel me Mançester Sitin dhe i konsideron djemtë e Guardiolës ende më të mirët në Angli. Ai thotë se objektivi është të mposhtë Sitin sa më shpesh që të jetë e mundur dhe stili i tij i kundërpresingut ka qenë ilaçi më i mirë ndaj atij të zotërimit të topit të Guardiolës. Liverpuli i ka fituar të katërta ndeshjet kundër Sitit këtë vit, përfshirë edhe atë në turin amerikan dhe Klop thotë se ai dëshiron ta thellojë këtë rekord: “Nëse një skuadër është më e mirë se e jotja, atëherë ti duhet të gjesh mënyrën sesi të jesh në nivelin e tyre dhe t’i mundësh. Unë nuk kam dashur kurrë të kem skuadrën më të mirë.

Nuk e kam dashur kurrë të jem lojtari apo trajneri më i mirë. Ajo që më intereson mua është të mund më të mirin. Dhe më i miri sot në Angli është Mançester Siti. Kjo do të thotë se skuadrat e tjera nuk janë më të mirat. Objektivi është ta mundësh Sitin sa më shpesh që të jetë e mundur”. Liverpuli rivalizoi me Sitin si një prej skuadrave më tërheqëse të sezonit të shkuar. “Reds”-at shënuan 135 gola, u renditën të katërtit dhe shkuan deri në finalen e Champions-it. Edhe këtë sezon e nisën me këmbën e mbarë, duke mundur 4-0 Uest Hemin dhe Klop thotë e spektakli është kryesorja për të.

“Cili është stili im i lojës? Epo ju e dini, unë jam trajner prej 18 vitesh dhe as që e kam menduar ndonjëherë këtë pyetje, pavarësisht se më është bërë shpesh. Nuk e kuptoj me të vërtetë se çfarë do të thotë. Unë e dashuroj këtë lojë, kaq e thjesht është. Më intrigon 95% të kohës. Kur shoh një ndeshje, shoh gjithnjë gjërat që më pëlqejnë, përndryshe do të ishte një humbje kohe. Argëtimi është pjesa më e rëndësishme e futbollit. Ka shumë probleme serioze në botë për ta bërë futbollin të mërzitshëm gjithashtu. Dua të shoh gëzim te lojtarët e mi, pasion në sytë e tyre dhe dëshirë për të luftuar”. Zotërimi i topit nuk është i shenjtë për Klopin siç është për Guardiolën dhe ai është më shumë i interesuar në atë që Liverpuli bën kur ka topin.

“Për mua nuk ka rëndësi zotërimi i topit, por ajo që ti bën me të. Kundër Bërnlejt dy vite më parë ne patëm 82% zotërim topi dhe humbëm 2-0. Ata patën dy shanse të vërteta shënimi dhe shijuan shpërdorimin tonë. Është vendimi në zotërimin e topit ai që bën diferencën dhe jo domosdoshmërish zotërimi”. Në fund dhe një batutë për largimin e Emre Xhanit drejt Juventusit: “Asnjë peng me Emrenë. Ai donte paratë, unë i thashë të firmoste, pastaj ta shisnim. Por nuk ishte realiste të rinovoje, pastaj ta shitej menjëherë”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"