Klop bën gati shkëmbimin e bujshëm, ofron sulmuesin ose mesfushorin për të marrë titullarin e Interit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2022 | 14:49

Klop bën gati shkëmbimin e bujshëm, ofron sulmuesin ose mesfushorin për të marrë titullarin e Interit

Liverpuli po mendon për të ofruar Roberto Firminon ose Nabi Keitanë për të transferuar Marselo Brozoviçin nga Interi. Skuadra e Jyrgen Klopit humbi mesfushorin Tiago Alkantara si pasoi e një dëmtimi në javën e parë të Premier Ligës kundër Fulhamit. Çembërlein pësoi një tërheqje muskulore gjatë fazës përgatitore, ndërsa Kërtis Xhons mungoi gjithashtu në transfertën në “Craven Cottage” si pasojë e një tërheqjeje.

firmino-keita-brozo

Dhe tani, sipas portalit italian “Calcio Mercato”, “Reds”-at i kanë vënë syrin mesfushorit kroat të zikaltërve për të zgjidhur krizën e tyre në mesfushë, pavarësisht se italianët nuk duan ta shesin lojtarin.

Sipas “Calcio Mercato”, Klop është gati të sakrifikojë një prej Firminos ose Keitasë për të arritur tek objektivi i tyre. Brozoviç është një pjesë e rëndësishme e skuadrës së Inzagit.

Gjatë 7 viteve të tij në “San Siro” (u transferua nga Dinamo e Zagrebit në 2015), ai ka regjistruar 290 ndeshje në të gjitha kompeticionet ku ka shënuar 28 gola. Kroati rinovoi kontratën, e cila skadon në 2026, në fillim të këtij viti dhe vetëm një ofertë tunduese mund të ndryshojë qëndrimin e Interit.

Klop tha pas barazimit me Fulhamin se ai mund të detyrohet të hyjë në merkato, pavarësisht se ka mjaftueshëm mesfushorë në skuadër.

“Ne nuk na duhet një mesfushor i ri sepse kemi mjaftueshëm. Por problemi është se ne po ndëshkohemi për diçka që nuk është përgjegjësia jonë, sepse gjëra të tilla mund të ndodhin. Të gjithë lojtarët që kemi jashtë për momentin nuk kanë diçka serioze”, tha trajneri gjerman.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"