Klodian Duro: Kukësi im nuk ndalet, ja pse po shkëlqejmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2016 | 10:18

Klodian Duro: Kukësi im nuk ndalet, ja pse po shkëlqejmë

Kukësi po kalon një moment të shkëlqyer në kampionat, por njëkohësisht është në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe nesër luan ndeshjen e parë në Vlorë kundër Flamurtarit.duro Trajneri Klodian Duro, duke folur dje për “Panorama Sport”, theksoi ndër të tjera se fitorja e fundit në Ballsh e bën skuadrën më të fortë për të kaluar me sukses takimin e parë ndaj vlonjatëve. Duro komentoi gjithashtu momentin e mirë që po kalon, “sekretin” e merkatos dhe sfidën e fundjavës me Skënderbeun.

Transferta – “Jam shumë i kënaqur që arritëm ta kalonim me sukses ndeshjen ndaj Bylisit. Fituam në një fushë jo të lehtë dhe kënaqësia është dyfish për faktin se Kukësi nuk kishte fituar asnjëherë në Ballsh për kampionat, madje kur ka qenë në pozita edhe më të mira. Kjo fitore na bën që të besojmë më shumë në vetvete dhe të jemi me moral më të lartë për ndeshjen e një tjetër transferte, por këtë herë për gjysmëfinalen e Kupës në Vlorë”, deklaroi fillimisht Duro.

Kupa – “Jemi këtu me meritë, pasi kemi kaluar një rival të vështirë si Teuta. Kam respekt maksimal për Flamurtarin, pasi janë një klub me histori në futbollin shqiptar, por unë i besoj skuadrës sime, për vetë rezultatet që kemi arritur në fazën e tretë. E kemi nisur me fitore fazën e katërt, por më tepër më bind puna që ne bëjmë përditë. Në kuadër të këtyre rezultateve ne shkojmë në Vlorë për të marrë maksimumin, që do të thotë fitore. Megjithatë, nuk vendoset gjithçka në ndeshjen e parë. Kualifikimin do ta vulosim në Kukës, edhe pse do të bëjmë më të mirën në ndeshjen e parë”, shtoi trajneri i Kukësit.

Merkato – Afrimet e janarit kanë qenë shumë të goditura për verilindorët. Izair Emini dhe Matija Dvorenkoviç po bëjnë diferencën, duke pasur një meritë të madhe në sukseset e Kukësit në fazën e tretë. Duro tregon se bashkë me presidentin Gjici janë ulur në janar dhe në njëfarë mënyrë e kanë parashikuar që situata do të shkonte kështu.

“Kemi kohë që i mendojmë dhe këto tri sfida në një javë të vetme. Nuk po mendojmë sot për këtë moment, por që në janar e kemi parashikuar. Jo më kot jemi ulur së bashku me presidentin dhe stafin, duke bërë një merkato që të na jepte mundësinë të luftonin në të dy frontet.

E kemi kaluar të njëjtën situatë edhe në turin çerekfinal, ku luajtëm me Teutën në Kupë dhe në kampionat dhe ia dolëm më së miri. Kemi kaluar një provë që na bën më të fortë kundër Flamurtarit. Sigurisht që kemi dhe një ndeshje në fundjavë me Skënderbeun, por që vëmendja jonë kryesore aktualisht është te përballja e Kupës. Jemi të bindur në forcat tona se do të kalojmë më tej”, është shprehur Duro.

Skënderbeu – “Ndeshjet sa vijnë e vështirësohen, kështu që duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duam vetëm fitore, por pasi të kalojmë ndeshjen me Flamurtarin do të mendojmë për Skënderbeun. Nuk na intereson nga kalon titulli, shikojmë vetëm punën tonë. Ne futemi në fushë për fitore, e njëjta gjë vlen dhe kundër Skënderbeut”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"