Klismani i Tiranës: Bëhem si Bonuçi, goli i Sukajt më del në ëndërr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 19:12

Klismani i Tiranës: Bëhem si Bonuçi, goli i Sukajt më del në ëndërr

Në fushë duket madhështor, ndonëse është vetëm 18 vjeç. Duket se ka potencë dhe autoritet, por në jetë është thjesht një futbollist, i cili, sapo ka kaluar moshën e adoleshencës, pak i ndrojtur, por njëkohësisht ka edhe një vendosmëri të admirueshme. Është Klisman Cake, i cili, edhe pse pa mbushur të 18-at, ka luajtur në rolin e qendërmbrojtësit me Tiranën.

Klisman Cake

Klisman, si do ta gjykonit sezonin e kaluar?

E vështirë ta përcaktoj. Nga ana personale do thosha i bukur, sepse luajta për skuadrën 24 herë kampione të Shqipërisë. Për një 18- vjeçar, kjo nuk është pak, pasi mund të sjellë një karrierë të madhe përpara. Kjo personalisht, pasi rënia e skuadrës në Kategorinë e Parë ishte katastrofike. Nuk e kisha menduar kurrë.

Barazimi me Vllazninë ka qenë dita më e keqe?

Do e ndaja. Atë natë nuk kam vënë gjumë në sy, sepse më dukej se kish ndeshje të tjera dhe do shpëtonim… Por ka dhe ditë më të këqija…

Cila është ajo?

Ditën kur kemi pësuar gol kundër Partizanit në minutën e 88-të. Ka qenë faji im. Ishte një ndeshje që e kishim në dorë. Akoma më del në ëndërr kërcimi i Sukajt. Do mjaftonte vetëm një kërcim, sa për t’i prishur ekuilibrin, por s’e bëra.

Cake

Pse ndodhi?

Ka shumë arsye, duke nisur nga moseksperienca ime e duke përfunduar te mjeshtëria e një sulmuesi klasi siç është Sukaj. Më gjeti kohën dhe kaq.

Megjithatë, rreth 900 minuta për një gjysmë sezoni me Tiranën nuk janë pak…

Për mua janë shumë. Një eksperiencë shumë e bukur, të cilën dua ta vazhdoj.

Keni kontratë deri në fund të gushtit, çfarë do të ndodhë më tej?

Unë kam 7 vjet me ekipet e moshave te Tirana. Kam ardhur nga Pogradeci, por jam krenar që kam veshur që ditën e parë fanellën e Tiranës, të cilën dua ta mbaj sa më gjatë të jetë e mundur.

Edhe në Kategorinë e Parë?

Pa asnjë diskutim. Do të pres drejtuesit e natyrisht edhe trajnerin për të rinovuar. Dua të jem me Tiranën dhe të kontribuoj sa më shumë te kjo skuadër.

Në skuadër do rikthehet Muça, është afruar braziliani Uellison, jeni ju, Turtulli dhe mbase edhe Deliaj. Ju tremb konkurrenca?

Jo, fare. Përkundrazi, ajo të bën të stërvitesh më fort, të sakrifikosh më shumë e natyrisht të përmirëson. E ritheksoj, dua të qëndroj te Tirana dhe të luaj sa më shumë për këtë skuadër. Të tjerat i dinë drejtuesit.

Cake dhe Hoxhallari

Meqë jemi te skuadra, si ju duket puna me trajnerin e ri Ze Maria?

Është shumë kërkues, i rreptë për sa i përket disiplinës, madje nuk toleron asnjë, qoftë edhe për një minutë vonesë. Përparësi e tij, deri në këto momente që flasim, është përgatitja fizike, ku ai vazhdimisht këmbëngul.

Ju tremb kjo?

Jo, aspak. Kjo, pasi unë dhe shumë të tjerë në moshën time kemi nevojë për një përgatitje të tillë. Madje, pas stërvitjes me skuadrën, unë çdo ditë bëj edhe stërvitje individuale me Pëllumb Ballën në një palestër private.

Si e bëni këtë?

Kam dy vjet që e bëj, pasi jo çdo gjë mësohet në stërvitje me ekipin. Një plan i detajuar nga trajneri i jepet profesorit dhe ai bën pikërisht atë që trajneri im i ka dhënë. Janë shumë ushtrime. Mund të them se në këtë palestër stërviten rreth 70-80 për qind e futbollistëve të moshave të skuadrës Tirana. E theksoj se gjithçka është unison mes trajnerit dhe profesorit.

Cake Tirana

I rikthehemi sezonit të ri, si do ta përshkruani Kategorinë e Parë?

Nuk besoj se do gjej dot përshkrim tjetër, përveçse atij që i ka bërë “Panorama Sport” një javë më parë…

Pra, jeni dakord?

100 për qind. Një kampionat shumë i fortë, shumë i luftuar, mbase shumë i egër. Por ne jemi Tirana dhe kemi vetëm një objektiv: të kalojmë direkt në Superiore.

Po Kupa e Shqipërisë…

Po erdhi, shumë mirë do jetë, por objektiv kryesor është të kalojmë sa më shpejt në Superiore.

E fundit: Emri Klisman, vëllai Mateus, babanë e thërrasin Marko, nga Van Vasten. Ka ndonjë lidhje e gjithë kjo?

S’e di, pyesni babanë… Unë për vete jam tifoz me Realin, por meqë luaj në mbrojtje kam qejf t’i ngjaj Bonuçit. Emër gjerman, tifoz me Realin, babai me Holandën, vetë dua t’i ngjaj Bonuçit, ky jam unë (ngre supet dhe qesh…)

JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"