Klinsman: S’ka pakt me Lëvin për barazim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2014 | 23:59

Klinsman: S’ka pakt me Lëvin për barazim

loew-klinsmann-540x304U rrit dhe u shndërrua në një legjendë nën logon e Republikës Federale Gjermane, duke fituar një Kupë Bote dhe një Europe, por pas një karrierë mjaft të suksesshme vjen një moment që zemra ndryshon trajektore. Në fakt, për flamurin dhe pasaportën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kushdo do ta bënte një veprim të tillë. Bëhet fjalë për ish-sulmuesin dhe trajnerin e Gjermanisë, Jurgen Klinsman, i cili nga 29 korriku 2011 u emërua në krye të pankinës së Kombëtares së SHBA-ve. Më 26 qershor, ora 18:00, Klinsman do i vihet kundër vendlindjes, miqve të tij dhe 80 milionë bashkëkombësve, të cilët ndihen të tradhtuar. Mirëpo, në futboll gjermanët respektojnë “fair-play”-in. Dueli mes Klinsmanit dhe Lëvit është komentuar si i fshehtë, por trajneri i SHBAsë i ka shpallur luftë Gjermanisë, duke synuar t’i mundë ata. Një ditë pas barazimit ndaj Portugalisë, Klinsman kritikon planin e orareve të FIFA-s, si dhe premton një duel të zjarrtë përballë “pancerave”.
“Katastrofa e Gijonit” – “Jogi Lëv nuk do dhe nuk duhet të më kontaktojë. Nuk është momenti i bisedave miqësore. Tani jemi në kulmin e përqendrimit dhe punës sonë. Secili ka detyrimet e veta për kombëtaren përfaqësuese. Nuk ka asnjë pakt dhe s’ka për të qenë kurrë një ndeshje mes miqsh. Ndeshja e Gijonit ka vite. Për ne, kombëtaren amerikane, as nuk na shkon në mendje një gjë e tillë. Amerikanët luftojnë gjithmonë për fitore. Nuk jemi ekip për të luajtur për barazim. Duam të jemi të parët në grup me 7 pikë. E dimë shumë mirë që kundërshtari do të ketë respekt për kualitetet tona. Ky është shpirti ynë, kjo është forca dhe arma jonë. Kemi besim dhe këtë do e tregojmë në fushë”, – nënvizoi Klinsman. Kujtojmë që Gjermanisë dhe SHBA-së u mjafton një barazim për të kaluar grupin. Ndërsa në rast se SHBA-ja humb, Gana ose Portugalia duhet të fitojë për të pasur golavarazh më të mirë se skuadra e Klinsmanit.
Kritika FIFA-s – Ashtu si Van Gal, edhe Klinsman ka qenë i pakënaqur me oraret dhe planin e FIFA-s. “Është bërë gjithçka për t’u dhënë kualifikimin favoritëve. Gjithashtu ne kemi një ditë më pak kohë për t’u çlodhur në krahasim me Gjermaninë. Ne vijmë nga Amazona në Recife duke bërë rrugë të gjatë, ndërsa Gjermania e ka shumë afër. Mundimi ynë është i dyfishtë”, – kritikon Klinsman.

11 vite me Gjermaninë, Klinsman bëhet amerikan
Jurgen Klinsman u lind më 30 korrik 1964 në Gëpingen të Gjermanisë. Nga viti 1987 deri në 1998-n, ai mbajti veshur fanellën e kombëtares, duke u shndërruar në një legjendë falë sukseseve dhe golave të tij. Në 108 pjesëmarrje me kombëtare, ai shënoi 47 gola, duke fituar Kupën e Botës në 1990 dhe Kupën e Europës 1996. Karrierën si trajner e nisi në vitin 2004 me kombëtaren gjermane, ku si asistent kishte Joakim Lëvin deri në 2006-n, kur u largua pas Botërorit 2006. Në vitin 2011 ai mori frenat e pankinës së SHBA-së. Klinsman ka edhe pasaportë amerikane.

“Katastrofa e Gijonit”, si u arrit akordi Gjermani-Austri
Në Botërorin 1982 në Spanjë, marrëveshjet e fshehta nuk kanë munguar. Rezultat me porosi në formën e manipulimeve u përfol edhe për ndeshjen mes Gjermanisë dhe Austrisë më 25 qershor 1982 në stadiumin e Gijonit. Kjo u quajt si “katastrofa e Gijonit”. Teksa Algjeria fitoi ndaj Kilit dhe e mbylli me 4 pikë dhe golavarazh 0, Gjermania dhe Austria u përballën një ditë më pas duke bërë mirë llogaritë. Austria kishte 4 pikë dhe golavarazh +3, ndërsa Gjermania 2 pikë dhe golavarazh +2. Të dyja patën arritur akord që Gjermania të mos fitonte më shumë se me dy gola diferencën, në mënyrë që të kualifikoheshin të dyja. Ndërkohë, Hrubesh shënon që në minutën e 10-të dhe aq u mbyll pas një loje të qetë. “Nuk pati asnjë marrëveshje. Ne luajtëm me kujdes duke mbajtur rezultatin”,- kujton Klaus Fisher.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"