Klimë e rënduar/ Sporti si arenë dhune, kërkohet ndërhyrje urgjente (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2021 | 9:23

Klimë e rënduar/ Sporti si arenë dhune, kërkohet ndërhyrje urgjente (VIDEO)

Sezoni sportiv sapo ka nisur, por që në start po bëhet pis nga ngjarje të shëmtuara duke nisur që nga futbolli për të vijuar te disiplinat e tjera. Skenat kafshërore në Shkodër gjatë Kampionatit Kombëtar të Boksit kurrsesi nuk mund të konsiderohen rastësi, ngjarje të rënda të cilat mund të kishin një fund edhe më dramatik.

Ndërkohë, vetëm disa ditë më parë ishte futbolli që prodhoi situata të turpshme, që nuk kanë asnjë lidhje me sportin. Gjatë ndeshjes Dinamo-Laçi, pamë se si një tifoz kërcënonte barbarisht gjyqtarin, teksa ky i fundit po ushtronte profesionin e tij duke parë në monitor një rast të VAR-it. Viktimë e këtij sulmi kafshëror që fatmirësisht mbeti vetëm verbal, për shkak se një roje e sigurisë me shumë mundim arriti ta frenonte agresorin ishte edhe futbollisti i Dinamos, Agim Ibraimi.


Një lojtar model që ofendohet në prani të familjarëve të tij pa bërë asgjë dhe pa provokuar askënd nga rrugaçë që mbushin tribunat e stadiumeve tona. Jemi vetëm në shtator, por dhuna po degjeneron çdo ditë e më shumë në ambientin sportiv në Shqipëri. Dhunë që nuk vjen nga protagonistët në fushë, por nga tribunat.

Drejtuesit e sportit duhet patjetër të bëjnë diçka për ta frenuar këtë kafshëri, duke nisur që nga fushatat sensibilizuese apo masat që duhen marrë ndaj këtyre njerëzve që po njollosin çdo ditë e më shumë sportin. Kërkohet ndërhyrje urgjente para se të jetë tepër vonë, nëse duam që të shmangen tragjeditë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"