Klevis Dalipi: Lushnja luan një finale në Orikum

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2023 | 14:49

Klevis Dalipi: Lushnja luan një finale në Orikum

Lushnjarët mbylLën përgatitjet e tyre për transfertën me Orikun, që do të luhet në orën 15:00 në stadiumin e qytetit bregdetar, që ka një fushë me bar sintetik. Skuadra e drejtuar nga Klevis Dalipi do të luajë për fitoren e tretë radhazi, si e vetmja alternativë drejt shpëtimit të kategorisë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i lushnjarëve deklaroi se ka disa dilema për formacionin, duke qenë se ka futbollistë me probleme fizike dhe që nuk janë riaftësuar ende pas dëmtimeve që kanë pasur këtë periudhë.

Dalipi

“Skuadra është përgatitur mirë dhe me seriozitet. Kjo duhet shfaqur të dielën. Kemi pasur akoma dëmtime. Siç është rasti i Dejan Andonit, që përsëri nuk është në 100%. Edhe Doksani me Gjylën. Megjithatë, deri të dielën të shohim se si do të vlerësohen nga stafi mjekësor”, ka thënë fillimisht Dalipi. Për herë të dytë radhazi lushnjarët i rikthehen kampionatit pas dy javësh. Ky është ristarti i fundit, kur kanë mbetur edhe 180 minuta. “Këto hapësira të gjata pas një ndeshjeje dhe vetëm me stërvitje nuk të ndihmojnë. Në këtë fundkampionati vetëm përqendrohemi te puna tekniko-taktike, si dhe te mbajtja e seriozitetit, te qëndrueshmëria. Kemi përballë këtë finale, që kërkon pikërisht këtë veçori, seriozitetin”, theksoi trajneri i Lushnjës.

TRANSFERTA – Elbasanasi i pankinës verdhejeshile vijoi bisedën duke folur më gjerë për transfertën me Orikun, që vendos shumë gjëra për sezonin e Lushnjës, që ka qenë me shumë oshilacione. “Oriku është një transfertë finaleje. E dimë që do të përballemi me një kundërshtar të fortë, ndaj e kemi vlerësuar si të tillë për objektivat tona. Duhet të jemi shumë të qartë në detyrat taktike. Por, mbi të gjitha dua sakrificë nga të gjithë lojtarët”, përfundoi trajneri Dalipi, i cili mori drejtimin e skuadrës në një moment delikat. Kujtojmë që Lushnja vjen pas një fitoreje ndaj Dinamos në “Roza Haxhiu”, që shtoi edhe më shumë shpresat për qëndrimin në Kategorinë e Parë. Gjithsesi, synimi i ekipit është që të shmangë edhe ndeshjen “play out”, paçka se jo çdo gjë është në dorën e Lushnjës, pasi duhen pritur rezultatet e rivalëve.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"