“Kjo Teutë më kujton kohën time”, rrëfehet Mancaku: Ka shumë uri dhe lojtarë të bindur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2019 | 20:54

“Kjo Teutë më kujton kohën time”, rrëfehet Mancaku: Ka shumë uri dhe lojtarë të bindur

Bledar Mancaku mendon që kjo Teutë do të shkojë larg. Ish-sulmuesi këmbëshpejtë i durrsakëve, që dikur tundte rrjetat e kundërshtarëve, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” i bën skanerin ecurisë së ekipit pas 5 javësh. Vlerëson punën e bërë prej stafit teknik, ndërsa sheh me shumë pozitivitet faktin që lojtarët i binden Bledi Shkëmbit.

Teuta-Laci 2-1. Mancaku ka shenuar

Pas 5 javësh të luajtura, çfarë “note” do t’i vendosnit Teutës?

Shoh që kjo skuadër po merr drejtimin e saj. Me plot gojën mund ta them që po bën një kampionat të mirë, pavarësisht rezultateve në javët e fundit. I kam ndjekur në çdo ndeshje dhe mendoj se janë në rrugën e duhur. Ta nisësh sezonin me një grup të ri, të rindërtuar nga themelet, nuk është e lehtë. Kërkon kohë dhe kjo dihet, pasi lojtarët duhet ta njohin njëritjetrin dhe të përshtaten mirë. Skuadra, edhe pse është e re, ka krijuar “fytyrën” e saj dhe i qëndron asaj që kërkohet, të jetë fituese.

Si e gjykoni punën e bërë nga stafi teknik?

Teuta ka një staf që e njeh në imtësi futbollin shqiptar. Ka në përbërje njerëz që punojnë me shumë dëshirë dhe mbi të gjitha pasion, por kanë edhe një “bonus” të madh: kanë shumë eksperiencë. Shkëmbin e kam parë që në ditët e para kur mori drejtimin e ekipit tejet kërkues dhe në pak kohë ka arritur të krijojë një grup që i bindet në fushën e lojës. Pa dyshim që edhe përvoja që ka pas shpine, i vjen në ndihmë. E ka përcjellë më së miri te lojtarët atë çka di dhe kjo e ndihmon skuadrën të jetë akoma dhe më e fortë.

Është kjo skuadër më e fortë se në kohët kur Mancaku luante futboll…?

Për mua ka shumë ndryshime. Kanë kaluar shumë vite, gjërat evoluojnë. Fusha është ndryshimi i parë. Sot luhet futboll taktik, është më pak i lexueshëm. Trajnerët janë më të aftë. Kanë arritur të ndryshojnë shumë, si në rreshtim, si në mënyrën e lojës. E megjithatë, mendoj se Teuta është një ekip që na përngjan, ka dëshirën dhe grintën që na karakterizonte edhe ne.

mancaku

Çfarë i mungon, sipas jush, Teutës për të pasur vazhdimësi në kampionat?

Nuk mendoj se i mungon gjë, pasi i ka të gjitha kartat e duhura. Shoh një ekip me dëshirë dhe që reagon kur duhet. Duhet të rikthehet te fitorja, pasi për mua barazimi nuk është aspak një rezultat i mirë. Do preferoja që skuadra në pesë takime të humbiste një, por të fitonte katër, prandaj dhe e shoh si humbje barazimin. Kështu që, shpresoj ndaj Kukësit të jetë pikë kthese për Teutën dhe të vazhdojë me ecurinë e fitoreve.

Të kalojmë pak te Mancaku. Tashmë që po i përkushtoheni trajningut, duam të dimë si është t’u mësosh fëmijët futbollin?

Normalisht është një ëndërr, sepse ne kemi qenë vetë fëmijë. Emocionet janë të papërshkueshme, por vjen një moment që i thua “stop”, sepse edhe mosha bën të vetën. Tashmë punoj në kushte shumë të mira në akademinë e futbollit “Teuta”, ku stërvis fëmijë të vegjël. Normalisht është pasion futbolli dhe të krijojnë një sadisfaksion edhe këta fëmijë që kanë ëndërr të bëhen futbollistë.

Dacia-Teuta 2-0, Mancaku Bledar ne aksion

Janë bërë vite që e keni lënë futbollin, megjithatë çfarë kujtoni nga karriera juaj?

Jam i kënaqur, sepse kam luajtur me Teutën dhe Besën që kanë fituar trofe. Një eksperiencë e kam pasur edhe me Shkumbinin e Peqinit, pa thënë pastaj se në atë periudhë kam pasur oferta vazhdimisht nga ekipet që donin titullin. Kam luajtur me Shpresat, por edhe Kombëtaret. Normalisht e mira s’ka fund, por jam i kënaqur me veten, sidomos kur mendoj që ka qenë një nivel shumë i lartë futbolli dhe me sulm të frikshëm.

Në fundjavë luhet Teuta-Kukësi. Çfarë ndeshjeje prisni?

Unë jam durrsak dhe normalisht me shpirt uroj që të fitojë Teuta. Skuadra është në një moment të mirë dhe me një fitore, do të bënte një hap të madh përpara. Mundësitë janë, ekipi është i përkryer, organizimi gjithashtu, ndaj më së pari mendoj se do të ndjekim si spektatorë një ndeshje të denjë për dy skuadra që i kanë dhënë tonin kampionatit në vitet e fundit. Të fitojë skuadra më e mirë dhe uroj që kjo të jetë Teuta.

Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"