“Kjo Lushnjë ka karakter”, Brunild Pepa: Çfarë mendova te goditja e dënimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 22:50

“Kjo Lushnjë ka karakter”, Brunild Pepa: Çfarë mendova te goditja e dënimit

Brunild Pepa dha shou kundër Besëlidhjes. Pa i hequr asnjë presje suksesit të Lushnjës, gjithkujt i mbeti mendja te golat e sulmuesit. I pari ishte vërtetë i bukur, por i dyti një kryevepër. Një e djathtë fantastike nga afro 30 metra dhe topi përfundoi në trekëndësh.

Brunild Pepa

E ka entuziazmuar kjo dopietë, por shumë më shumë fitorja. Këtë e pohon gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ku shpjegon çfarë mendoi në moment kur ekzekutoi atë goditje dënimi, bisedën me trajnerin dhe “partneritetin” me Cankën në sulm.

Brunild! Realizuat një dygolësh në ndeshjen me Besëlidhjen, por ai që zbukuroi dhe çoi peshë stadiumin ishte ai i fitores! Çfarë menduat para se të godisnit topin?

Nuk kam menduar shumë në fakt. Thjesht mora topin dhe mendoja ta godisja në kuadrat. Ishte vërtetë gol i bukur, po e pranoj me shumë modesti (qesh). Më vjen mirë që patën mundësi ta shohin edhe tifozët, pasi mendoi se u zbukuroi ditën. Jo se e shënova unë, por se solli fitoren e shumëpritur. Ishte ndeshja jonë e parë në “Roza Haxhiu” dhe nuk mendonin asnjë rezultat tjetër. Vetëm aq donim dhe e arritëm.

Çfarë ju tha trajneri Duro në fund të ndeshjes?

Na përgëzoi për shpirtin që treguam në fushën e lojës. Siç e përmenda më lart, ishte ndeshja jonë e parë përballë tifozëve tanë dhe ju e dini sa e duan ata futbollin.

Ishte kjo një fitore karakteri?

Patjetër. Treguam karakter. Edhe pse po shkonte drejt barazimit, nuk e humbëm kurrë toruan dhe luftuam.

Sulmi po funksionon. Nuk shënuat vetëm ju, por edhe Canka…

Nuk ka kënaqësi më të madhe. Jemi një dyshe shumë e mirë. E kemi treguar kudo që kemi luajtur.

Meritë vetëm e sulmit?

Prandaj është sulmi që të shënojë. Por fitorja është meritë e të gjithëve, jo vetëm e një reparti. Ne punojmë në grup dhe kjo është forca jonë e vërtetë.

Të dielën prisni Burrelin në “Roza Haxhiu”. A do të arrini një fitore të dytë?

Kemi shumë besim se do ia dalim. Skuadra ka shpirt dhe karakter. Kemi një javë kohë që do të stërvitemi dhe jemi gati për Burrelin. Mendoj se me punë, rezultati do të vijë. Mjafton që të mos e ulim tempin dhe të qëndrojmë njësoj të angazhuar ndaj çdo kundërshtari. Vetëm se duhet ta marrim shtuar…

Kujt ia dedikoni golat?

Golat ia dedikoj mbesës sime Tamara, që kishte ditëlindjen të shtunën. Por edhe gjithë tifozëve të pranishëm në stadium. Na mbështetën kur kishim më shumë nevojë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"