“Kjo javë është e veçantë”, Daja: Llogari vetëm me ndeshjet tona, duhet t’i shmangim gabimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2023 | 16:31

“Kjo javë është e veçantë”, Daja: Llogari vetëm me ndeshjet tona, duhet t’i shmangim gabimet

Nga 5 finale, për Dinamon tashmë janë bërë 4. Nuk do të ketë nevojë të shpenzojë energji ndaj Tërbunit të përjashtuar, megjithatë asgjë nuk ndryshon në luftën për rikthimin në elitë. mng,g

Blutë duhet t’i fitojnë ndeshjet e tyre për të qenë të qetë. Kjo javë është jo pak përcaktuese në fakt, duke qenë se dy rivalët, Flamurtari dhe Skënderbeu, përplasen mes tyre. Është e kotë të mohohet interesi në kampin dinamovit për këtë ndeshje, por po ashtu të gjithë janë të vetëdijshëm se asgjë nuk vlen pa fitoren e tyre në Cërrik. DAJA – Asion Daja, që bashkë me Denison, janë dy lojtarët e vetëm që kanë luajtur titullarë në 21 ndeshjet e deritanishme.

Në një prononcim për “Panorama Sport” thekson se nuk bëjnë asnjë llogari pa marrë pikët maksimale në ndeshjet e saj. Mesfushori pranon se sfida e Vlorës paraqet interes, por pas fitores në Cërrik me Turbinën.

“Ne e dimë shumë mirë se kjo kategori nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Ky kampionat na ka mësuar shumë gjëra dhe e kemi të qartë se na ndalohet edhe gabimi më i vogël. Me Korabin vuajtëm jo pak për të marrë 3 pikët, që kanë më shumë rëndësi. Hasëm vështirësi edhe për shkak të tensionit që krijohet nga situata në renditje. Dy rivalët tanë kishin fituar më parë dhe ne na duhej trepikëshi me çdo kusht. Kjo bëri që të gabonim dhe të humbisnim edhe ato raste që krijuam në pjesën e parë. Normalisht, ne duam që çdo rast të bëjmë gol, por nuk është aq e lehtë dhe sidomos për situatën që jemi aktualisht në renditje. Plus Korabi është një skuadër e fortë, nuk thyhet kollaj. Rëndësi ka që arritëm të fitonim dhe tani shohim përpara për të vazhduar rrugën drejt Superiores. Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, kështu është edhe me Turbinën në Cërrik. Kjo javë është pak e veçantë, duke qenë se rivalët tanë ndeshen me njëri-tjetrin, por ne nuk bëjmë asnjë llogari pa arritur fitoren tonë. Asgjë nuk do të kishte vlerë, nëse ne nuk bëjmë detyrën tonë”, ka theksuar 33-vjeçari.

OPTIMIZMI – Futbollisti që ka mbajtur shiritin e kapitenit në shumë ndeshje te blutë, nuk e fsheh optimizmin për të kaluar me sukses sfidat e mbetura.

“Nuk ka diskutim që duhet shumë kujdes dhe përqendrim për këtë pjesë gare që na ka mbetur. Megjithatë, dua të them se jam optimist, sepse Dinamo krijon lojë dhe raste për shënim, ne shkojmë rrjedhshëm drejt portës kundërshtare. Kjo është shumë e rëndësishme në futboll. E thashë, tensioni i objektivit ndikon që të bëhen ato gabime, por kur skuadra krijon, do të shkojë të fitorja. Tani e ka radhën Turbina dhe ne po mendojmë vetëm për këtë ndeshje”, përfundoi mesfushori blu.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"