Kishte në dorë kualifikimin e Tiranës, Ernest Muçi: Bëra gjithçka, topi nuk donte të hynte brenda

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2020 | 13:25

Kishte në dorë kualifikimin e Tiranës, Ernest Muçi: Bëra gjithçka, topi nuk donte të hynte brenda

Vetëm një centimetër më tutje dhe topi i goditur nga Ernest Muçi mund të ishte ndalur në rrjetë. Më pas gol, lavdi dhe kualifikim për Ernest Muçin dhe Tiranën. Fati ama nuk deshi. Shtylla e bllokoi sulmuesin, edhe pse 19-vjeçari bëri gjithkça për atë gol. Një gol që mund të thoshte shumë për të ardhmen e tij, pasi katapultimi drejt skuadrave të mëdha do të ishte super i sigurt.
muci
SHANSI
Hamarbi, ku Zlatan Ibrahimoviç është aksioner, pritet të ketë për sezonin e ardhshëm sulmuesin e Tiranës. I riu kishte disa opsione, nga Kroacia dhe Belgjika, por suedezët kanë qenë më konkretë. Marrëveshja mes klubeve është pothuajse e mbyllur dhe Tirana do të përfitojë më shumë se 300 mijë euro, plus një pjesë të kartonit dhe bonuse të tjera. Drejtuesit suedezë kanë qenë dje në stadium dhe e kanë parë nga afër Ernest Muçin, i cili me atë që tregoi në fushën e lojës, është e sigurt se shitet jashtë vendit. Muçi sezonin që lamë pas shënoi shtatë gola mes kampionatit dhe Kupës, duke qenë një nga lojtarët më  rezultativë në fushën e lojës. Ai është pjesë e 19-vjeçarëve dhe Kombëtares së 21- vjeçarëve.

MBRËMJA
Ka qenë një mbrëmje e madhe për Muçin që ledhatoi golin. Mori vlerësimet e Dejan Stankoviçit dhe sot mund të zgjohet me kontratën e re në duar. Pothuajse i këputur nga 100-minutëshi rraskapitës, Muçi ka mundur të thotë veçse një fjali. Akoma nuk e beson që nuk e ka shënuar golin e tij. “Bëra të pamundurën, bëra gjithçka që ai gol të shënohej, topi nuk deshi të hynte”, tha Muçi pas sfidës me Crvenën. Sërish ishte portieri mik ai që i mohoi golin sulmuesit.

OLSI AVDIAJ 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"