“Kishin abuzuar me tolerancën time”, Bizhdili: Ultimatumi zgjoi Besën, në janar do të …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 18:59

“Kishin abuzuar me tolerancën time”, Bizhdili: Ultimatumi zgjoi Besën, në janar do të …

Tri javë më parë, Nexhat Bizhdili mori një masë ekstreme ndaj ekipit. Nëse Besa nuk do fitonte me Devollin, Orikun dhe Elbasanin, nuk do të jepej rroga e tetorit. Ekipi iu përgjigj më së miri këtij “kërcënimi” duke fituar bindshëm e pastër ndaj devollinjve (3-0). 

Bizhdili

E megjithatë, asgjë s’ka mbaruar. Presidenti nuk është “zbutur” ende dhe i qëndron ende ultimatumit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai shpjegon se lojtarët kishin abuzuar me tolerancën e tij, ndaj nuk ka në plan të tërhiqet. Pritshmëritë tashmë janë rritur, aq sa pret që fundi i 2019-ës t’i gjejë kavajasit në vend të dytë.

Skuadra reagoi pas “ultimatumit” për 3 fitore radhazi… 

Asnjëherë nuk kam dënuar apo ndëshkuar futbollistët, që prej kohës që drejtoj Besës. Përkundrazi, jam treguar shumë më shumë tolerant sesa më takonte. Ka pasur raste kur lojtarë të caktuar kanë abuzuar me tolerancën time. Po vjen një moment që thua boll.

Kjo ndodhi me humbjen në Pogradec, e cila kulmoi disa rezultate negative aspak të pranueshme nga unë. Reagimi erdhi, pasi futbolli luhet për tifozët kavajas dhe atyre iu sos durimi. Kjo duke parë që ekipi nuk fitoi as me Ilirinë, apo Shënkollin. Akoma i qëndroj atij ultimatumi dhe s’jam bërë pishman.

Doni të thoni që s’jeni “zbutur” ende? 

Aspak. Përkundrazi, fitorja me Devollin më bindi edhe më shumë se kam vepruar drejt.

Po fitorja me Devollin, çfarë mesazhi ju dha? 

Ndaj Devollit grupi tregoi se çfarë duhet të kishte bërë ndeshjet e kaluara ,e çfarë mundet të bëjë. Ishte ajo Besë që unë besoja dhe besoj ende. Prandaj jam dyfish i bindur se mundësish ka ky grup për vazhdimësinë.

Rroga e tetorit do të shkrihet vetëm nëse kalohet Orikumi dhe Elbasani?

Grupi ka 2 javë që punon fort dhe siç e keni evidentuar edhe ju në gazetë, Magani ua ka marrë frymën çunave. Janë 80% e grupit të rinj dhe nëse nuk përballojnë dot sot ngarkesat, kur do ti përballojnë? Orikumi mbetet ekip për t’u vlerësuar dhe humbja në fazën e parë në Orikum e vërteton këtë.

Bizhdili-2

Po ajo humbje është harruar e në fuqi është “ultimatumi” (qesh). Pres patjetër fitore e siç e tha me plot të drejtë trajneri: “të fitojnë për xhepat e tyre dhe tifozët, jo për Bizhdilin e Maganin”. Personalisht jo vetëm pres, por jam i bindur se ekipi pas Devollit do njohë vetëm fitore.

A mjaftojnë edhe 6 pikë për t’iu larguar fundit? 

Unë kurrë nuk kam preferuar të citoj faktorët që kanë ndikuar jo pak në ecurinë tonë këtë sezon. Po meqë ju po këmbëngulni po i radhës. E para dhe më kryesorja, nuk është pak të luash të gjitha takimet në transferta. E dyta, për javë të tëra nuk kishim as tifozët në krahë prej dënimit. E treta dhe jo pa rëndësi, grupi u ndërtua me pak vonesë dhe shumica janë 18-20 vjeçarë.

Ku do renditet Besa në mbyllje të 2019-ës?

Përtej penalizimeve, pres e besoj që fundi i këtij viti të na gjejë në vend të 2-të ose 3- të me diferencë të vogël pikësh nga kreun. Do t’i marrim sfidat me radhë dhe fitore pas fitoreje do arrijmë synimin. Më pas në janar, do të kemi të tjera lëvizje.

Do bëjmë përforcime cilësore në shërbim të kapjes së kreut në pjesën e mbetur të sezonit. Është herët, por thjesht ju shpalosa programin tim për merkaton.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"