“Kishim nevojë për afrime”, flet kapiteni Hysenshahaj: Apolonia kap Superioren, luajmë pa komplekse

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2019 | 16:17

“Kishim nevojë për afrime”, flet kapiteni Hysenshahaj: Apolonia kap Superioren, luajmë pa komplekse

“Gongu” për fillimin e kampionatit të Kat egorisë së Parë është gati të bjerë. Skuadrat janë në përgatitjet e fundit dhe për Apoloninë nuk kishte “premierë” më të mirë se në “Elbasan Arena”. Të dyja skuadrat kanë emër, traditë dhe trofe, por e nisin sezonin e pestë larg elitës.

Apolonia-gezon-me-trajnerin

Por, Apolonia nuk heq dorë nga pretendimet për Superligën. Sa për kujtesë, Apolonia dhe Elbasani janë ngjitur bashku në Superiore në sezonin 2014-2015 dhe kanë rënë po të dy në fund të atij kampionati. Prej 4 vjetësh, Apolonia ka bërë “ashensor të mbyllur” brenda Kategorisë së Parë, 2 herë në 5-shen e pretendentëve dhe po 2 herë në grupin e mbijetesës. Gjithsesi, është një kampionat i ri dhe dy ekipet kërkojnë t’i shkëpusin njëri-tjetrit fitoren.

HYSENSHAHAJ

Do të jetë sërish kapiteni i Apolonisë dhe numri 10 i saj. Në prag të sfidës me Elbasanin, Taulant Hysenshahaj evidenton së pari faktin që skuadra është gati për kampionatin. “Po, jemi gati dhe mezi presim të zbresim në fushë, – thotë kapiteni i Apolonisë. – Kemi zhvilluar një fazë përgatitore shumë të ngjeshur dhe ndeshje të shumta miqësore, që na kanë rritur në të gjitha aspektet. Jemi korrigjuar në vazhdimësi, ndaj kam bindjen e plotë se jemi gati”.

Hysenshahaj

Hysenshahaj është nga futbollistët më “autoktonë” të Apolonisë, pjesë e pandashme prej 7 sezonesh radhazi, ndaj edhe ka të drejtën të bëjë vlerësime për ecurinë e mundshme në kampionat. “Është ruajtur një grup i konsiderueshëm nga kampionati i kaluar, por janë bërë edhe jo pak ndryshime, – vijon Hysenshahaj. – Kanë ardhur lojtarë cilësorë, si Branica dhe Sharavolli, që i njoh mirë. Për të tjerët nuk kam njohje, por e shoh që janë shumë të përkushtuar. Nuk dua të bëj gjykuesin, por mendoj se kishim nevojë për përforcime më cilësore, sidomos në mbrojtje”.

Taulant Hysenshahaj Apolonia

RIVALËT

Sa u përket skuadrave rivale, mesfushori i vlerëson të gjithë, por veçon vetëm një kundërshtar. “Duke kaluar gjithë këto vite, kemi fituar eksperiencë në çdo aspekt. Kemi një staf këmbëngulës dhe një nga trajnerët më të mirë. Grupi është kompakt dhe po funksionon mirë, ndaj nuk ka pse të mos pretendojmë Superligën. Ka ardhur momenti dhe besoj shumë se ia dalim mbanë, nëse luajmë të motivuar dhe pa komplekse. Mendoj se do të jetë një garë e ndezur dhe jo me shumë diferenca. Nisur nga merkatoja, them se Lushnja mbetet rivali kryesor, sepse ka lojtarë përvoje dhe mentalitetin e duhur. Besa, me sa kam ndjekur, nuk ka bërë ndonjë progres në merkato, edhe pse mbetet ekip me pretendime, ashtu si dhe Pogradeci”. Dhe në fund vjen edhe vlerësimi për ndeshjen me Elbasanin.

“Nuk e njoh shumë Elbasanin. Ka problemet e veta, por kjo nuk do të thotë se e neglizhojmë, përkundrazi, e kemi vlerësuar maksimalisht. Është ndeshja e parë dhe kemi nevojë për fitore. Nuk e mendojmë të lehtë, pa harruar që fazën e dytë vjet Elbasani fitoi në fushën tonë. Kjo ndeshje është tjetër histori dhe luajmë vetëm për fitore”, përfundoi Hysenshahaj

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"