“Kisha frikë për Nejmarin”, rrëfimi special i “shtepiakut” Mesi: Doja ta braktisja Barcelonën, ja e vërteta me Grizmanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 23:38

“Kisha frikë për Nejmarin”, rrëfimi special i “shtepiakut” Mesi: Doja ta braktisja Barcelonën, ja e vërteta me Grizmanin

Në fushën e lojës është shumë më i mirë sesa përpara një mikrofoni, por Leo Mesi nuk zhgënjen këtë herë. Flet haptazi, pa doreza dhe tregon gjithçka për karrierën, objektivat dhe dëshirat e tij. Nuk i pëlqen të dalë nga shtëpia, sheh shumë seriale dhe luan me fëmijët e tij.

mesi

“Pleshti” zbulon momentet më të vështira të jetës dhe tregon se e mendoi seriozisht largimin nga Barcelona. Për radion “RAC1” kapiteni i Barçës zbulon raportin me Guardiolën dhe thotë se dëshira më e madhe është të rikthehet të fitojë Ligën e Kampioneve.

MESI ËSHTË ZOT – “Nuk më shqetëson, por as nuk më pëlqen. Njerëzit më thonë shumë gjëra të bukura dhe ndihem shumë i vlerësuar me gjithçka, sepse e di që i thonë pa të keq. Por më duket e ekzagjeruar që të thuhet kështu. Mbi të gjitha për fëmijët e mi, të cilët përsëritin gjithçka që dëgjojnë. Më thonë Leo Mesi dhe pastaj dëgjojnë të tjerat…”

PROBLEMET – “Nuk bëj asgjë. Mbyllem në vetvete dhe nuk jam nga ata persona që i tregon pikat e dobëta. Mbështes veten në gjithçka dhe momentet e vështira i kam menaxhuar gjithmonë me natyralitet. E rëndësishme për mua ka qenë gjithmonë të fokusohem në gjërat që më pëlqejnë, pa menduar shumë për botën profesionale”.

FËMIJËT – “Tiago ka një grup miqsh të lidhur fort me njëri-tjetrin. Tani janë duke nisur të kuptojnë se kush është babai i tyre dhe çfarë bën. Fëmijët janë miq të vërtetë dhe Tiago është shumë inteligjent. Di mjaft mirë t’i deshifrojë gjërat”.

SHTËPIAK – “Nuk më pëlqen shumë që të dal. Më pëlqen të kaloj shumë kohë në shtëpi, por fëmijët më detyrojnë që të dal”.

SERIALE – “Shoh shumë. Antonela është fanatike. Kur mundemi dhe kur fëmijët janë në gjumë, shohim ndonjë. Tani jemi duke ndjekur një argjentinase ‘El Marginal’”.

LOJËRA – “Luaja shumë më përpara. I lashë për pak kohë, por duhet të luaj me Tiagon, i cili më kërkon gjithmonë të luajmë”.

PROBLEMET – “Sigurisht që edhe unë kam problemet e mia dhe momentet e vështira në jetë. Njëri prej tyre ishte në vitin 2013 për shkak të gjyqeve të shumta në lidhje me taksat. Familja ime u tremb shumë, sepse njerëzit nuk po merrnin vesh realisht se çfarë mund të ndodhte. Unë isha i pari që u hetova dhe ishin shumë të vendosur. Më përdorën dhe më bënë shembull për të treguar se do të ishin të rreptë edhe me të tjerët. Më e mira e kësaj historie ishte që fëmijët e mi ishin të vegjël dhe nuk kuptonin asgjë”.

LARGIMI – “Në atë kohë e mendova seriozisht largimin. Jo për të ikur nga Barcelona, por thjesht të ikja nga Spanja. Ndihesha i keqtrajtuar dhe nuk doja të vazhdoja më këtu. Kisha shumë oferta dhe dyer të hapura nga shumë skuadra në Europë, por asnjë ofertë zyrtare. Në fakt, e kisha të vështirë ta braktisja këtë klub”.

DEKLARATA – “Nuk fshihem kurrë pas atyre që them. Kemi një skuadër të madhe dhe me lojtarë të mëdhenj. Duam të fitojmë gjithçka këtë vit. Kjo është ideja ime dhe e të gjithë lojtarëve. Në vitet e fundit gjithashtu kemi pasur lojtarë të mirë, por në dy sezone gabuam ndaj Romës dhe Liverpulit. Ishte gabimi ynë”.

PËRGJITHMONË – “Sigurisht që po. Do të më pëlqente të qëndroja përgjithmonë këtu. Kështu ka qenë dhe nuk ka ndryshuar”.

RINOVIMI – “Për momentin nuk ka asgjë konkrete, por me këtë temë merret im atë. Unë në këtë situatë përfshihem shumë pak, për të thënë të vërtetën”.

LAMTUMIRA – “Sigurisht që mendoj t’i jap fund futbollit te Barcelona, për tifozët, për atë që ndiej për klubin. Pastaj edhe për familjen. Ne ndihemi mjaft mirë këtu, nuk dua që të ndryshoj shokët e fëmijëve, nuk dua që ta prish gjithçka që kam ndërtuar. Më takon të jetoj këtu dhe këtë do të bëj. Do të jetojmë përgjithmonë, por do të shohim pasi të tërhiqem nga futbolli”.

FIZIKISHT – “Ende nuk jam në 100% të formës sime. Kundër Sevijes ishte ndeshja ime e dytë 90 minuta. U lodha shumë, por pak nga pak po rikuperohem totalisht”.

GRIZMAN – “Nuk është aspak e lehtë të luash te Barcelona. Çdo lojtar që nuk ka ardhur nga filozofia e Barcelonës dhe nuk e njeh këtë metodën, pavarësisht kualitetit që ka, e ka të vështirë. Ka luajtur në një mënyrë të ndryshme, por jam i sigurt që do të përshtatet, sepse është shumë inteligjent”.

KUNDËR TIJ – “Kjo është një gënjeshtër e madhe. E kam thënë që një vit më parë se ai është një nga lojtarët më të mirë dhe më të mirët janë të mirëpritur te Barcelona”.

NEJMARI – “Sigurisht që e doja Nejmarin, për të njëjtin motiv. Është një nga lojtarët më të mirë në botë. Nëse do të vinte, ne do të kishim më shumë opsione dhe mundësi për të fituar gjithçka. E di që në këtë histori shihen të tjera gjëra, si u largua, opinioni i tifozëve, por në aspektin sportiv mua do të më kishte pëlqyer”.

KLUBI – “Nuk e thashë deklaratën për Nejmarin për të goditur klubin, por realisht mendoj që nuk e di nëse bënë gjithçka për ta transferuar, sepse unë nuk kam qenë prezent në këtë histori. Unë flisja me Nejmarin dhe di anën tjetër të historisë”. I

PENDUAR – “Mendoj se është penduar që u largua nga Barcelona. Vetëm pas pak kohësh që u largua, e kuptoi që gaboi dhe që mori një vendim të nxituar”.

NEJMAR TE REALI – “Po. Mendova realisht që do të shkonte aty nëse nuk do të vinte te Barcelona. Kishte shumë dëshirë që të largohej dhe të ndryshonte. Mendova se Florentino do të bënte gjithçka për ta transferuar, por nuk ka përfunduar ende…”

VALVERDE – “Unë e kam thënë mendimin tim. Humbja kundër Liverpulit ishte faji i lojtarëve. Nuk mund të na ndodhte e njëjta histori, ashtu si një vit më përpara kundër Romës. Por kishim në mendje atë ndeshje dhe u përmbysëm. Nuk ishte problem i trajnerit. Por vendimin për qëndrimin e tij nuk e mora unë. Klubi vendosi dhe lojtarët ishin të lumtur. Është trajneri që duam, ashtu siç donim dhe të mëparshmit. Duhet të jemi të gjithë bashkë”.

PAK CHAMPIONS – “Na kanë ikur nga duart shumë mundësi të arta. Mund të kishim fituar ndonjë Champions më shumë, por tjetër gjë është çfarë mendon dhe tjetër gjë çfarë ndodh. Nuk e kemi treguar dëshirën tonë në fushën e lojës. Realisht kemi dëshirë që të fitojmë”.

“TOPA TË ARTË” – “Nuk kam ndonjë ide nëse do ta fitoj. Nuk është fiksim për mua. Do të ishte bukur, sidomos për fëmijët e mi, por prioriteti im nuk janë çmimet individuale. Do të më pëlqente më shumë të fitoja një Champions”.

PIKE – “Geri është një person shumë i drejtpërdrejtë dhe inteligjent. Është një njeri që thotë gjithmonë atë që mendon. Është i sinqertë dhe i thotë gjërat në sy”.

PAS GETAFES – “Unë nuk dija asgjë për atë që do të thoshte sepse nuk isha grumbulluar me skuadrën. Ai nuk informoi asnjë për atë që do të thoshte. Ka shumë vite në këtë ekip dhe i njeh mirë gjërat, po ashtu edhe se si menaxhohen temat e vështira. Unë nuk do ta kisha bërë, sepse do t’u jepja shumë rëndësi shkrimeve të gazetave kundër Barcelonës, por ai i tillë është. Tani jemi të gjithë bashkë”.

BËJMË LIGJIN – “Sigurisht që nuk e bëjmë ne. Duhet të mësohemi me këtë gjë, sepse thuhet shpesh. Ashtu siç thonë që unë vendos edhe trajnerët tek Argjentina”.

PRESIDENTI – “Nuk flas me të që nga eliminimi ndaj Liverpulit. Nuk kam asnjë problem me të dhe kur duhet të flasim, do të ulemi”.

KËSHILLTAR – “Sigurisht që ne japim këshilla kur bëhej fjalë për çështjet e Grizmanit dhe Nejmarit. Ne dhamë mendimin tonë, por nuk marrim vendime”.

LAHOZ – “Ndoshta u shpreha gabim kur i thashë që Dembele nuk di të flasë. Doja t’i thosha që Dembele e ka të vështirë që të ndërtojë një frazë të saktë në gjuhën spanjolle. Osman e ka të vështirë të flasë, por kupton”.

VAR – “Mua më pëlqen VAR-i dhe jam në favor të tij. Por mendoj se ende lë disa dyshime dhe nuk po përdoret mirë. Duhet që t’i qartësojë gjërat më mirë”.

KSAVI-INIESTA – “Ishte e qartë që nuk do të ishte e lehtë t’i zëvendësonim këta lojtarë. Ne e mbanim topin 90% kur luanim me ata dhe e rikuperonim pasa 5 sekondash. E dinim që një ditë do të largoheshin, por tani kemi mesfushorë shumë të mirë. Ata ishin unikë. Me largimin e tyre kemi ndryshuar edhe filozofinë, sepse gjithçka kalonte nga këmbët e tyre”.

MË I MIRI – “Çdo vit unë përpiqem të përmirësohem. Mendoj se në epokën e Guardiolës isha më mirë dhe ajo ishte speciale. Pastaj u rrita më shumë si lojtar”.

MOMENTI I VËSHTIRË – “Në sezonet 2013-2014, për ato që thashë më parë. Pastaj shkova edhe me Argjentinën…”

GOLI MË I MIRË – “Ai që shënova me kokë në Romë, kur fituam Champions-in”.

MBROJTËSI MË I FORTË – “Një konkretisht nuk kam dhe nuk di ta them. Kam pasur rivalë shumë të vështirë, sidomos ekipet angleze kanë qenë gjithmonë të forta. Nuk kam një në konkret, por janë shumë”.

RIVALI MË I MIRË – “Kombëtarja e Spanjës. Kam luajtur një miqësore ndaj tyre në fushën e Atletikos kur ishte trajner Maradona. U surprizova nga ajo skuadër”.

NDESHJA MË E BUKUR – “Gjysmëfinalja kundër Realit të Madridit, të cilën e fituam 2-0. Ishte unike”.

SHOQËRIA – “Gjithmonë kam pasur raport të mirë me të gjithë lojtarët që kanë qenë te Barcelona. Nuk kujtoj asnjë të ketë thënë një fjalë të keqe në dhomat e zhveshjes”.

TRAJNERI MË I MIRË – “Pep Guardiola. Ai është më i miri nga të gjithë dhe pastaj Luis Enrike i afrohet”.

RONALDO – “Do të më kishte pëlqyer që të qëndronte, sepse ishte një plus për La Ligën”.

REALI I MADRIDIT – “Do të jetë gjithmonë në nivele të larta, sepse ka lojtarë shumë të mirë. Është e vërtetë që u mungon Kristiano Ronaldo dhe të gjithë do ta kuptonin këtë, por Reali ka shumë histori”.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"